Tirana bën gati spastrimet në ekip, ja kujt i është besuar merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2018 | 20:30

Tirana bën gati spastrimet në ekip, ja kujt i është besuar merkato

Rezultatet e mira duket se kanë dhënë shenjat e para! Pritet që shumë shpejt të ketë lëvizje në ekip me lojtarë në dalje. Janë burime pranë klubit që bëjnë me dije një fakt të tillë. Kështu, mësohet se drejtuesit kanë vlerësuar ata që do të qëndrojnë dhe largojnë nga ekipi dhe në ditët në vazhdim do t’u komunikojnë qëndrimin për të gjetur një marrëveshje mes palëve. Bëhet e ditur se disa nga lojtarët, sidomos ata që kanë ardhur në verë, mund të largohen ose në janar ose akoma më shpejt, duke nisur nga java e ardhshme.

tirana

Pritet që klubi të diskutojë edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me lojtarë, të cilët janë të dëmtuar dhe zor se mund të luajnë më këtë sezon. Njëri prej tyre është Namdi Oduamadi. Sulmuesi është dëmtuar në shpatull dhe pas operacionit, zor se mund të luajë këtë sezon. Koha e rikuperimit është shumë e gjatë dhe në këto kushte klubi mund t’i ofrojë një marrëveshje për të ndërprerë bashkëpunimin para kohe. Gjithsesi, gjithçka do të zbulohet në ditët në vazhdim, me Tiranën që kërkon të largojë “të padëshiruarit”.

MERKATO

Tirana duket se gjen njeriun e duhur të merkatos. Ai është Emanuel Ego. Trajneri i portierëve dhe krahu i djathtë i Ardian Memës, duket se është njeriu i përzgjedhur nga trajneri për të gjetur lojtarë të mirë në Afrikë në merkaton e janarit. Për ata që nuk e dinë, Emanuel Egbo ka treguar se di të sjellë futbollistë me shumë  peshë në kampionatin shqiptar.

Mema Tirana

Bëhet fjalë të paktën për dy lojtarë, që e kanë pasuruar jo pak Skënderbeun. I pari është Peter Olainka dhe i dyti Xhejms Adeniji. Të dy këta lojtarë u sollën nga Egbo tek ekipi i Bylisit kur ai ishte ndihmës dhe trajner i parë, ndërsa skuadra ballshiote i shiti në kampionatin shqiptar me shuma të pranueshme parash. Gjithsesi, për këtë operacion duhet miratimi i presidentit Refik Halili, i cili prej muajsh ka marrë kontrollin e gjithçkaje në skuadër.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"