Tirana B barazon me Burrelin, Muja shkëlqen për bardheblutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2017 | 12:14

Tirana B barazon me Burrelin, Muja shkëlqen për bardheblutë

Tirana B dhe Burreli zhvilluan dje paradite, në aneksin e stadiumit “Skënder Halili”, një ndeshje miqësore në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri. Edhe pse skuadra në nivele të ndryshme kategorish, dhuruan futboll të bukur dhe gola. Sapo nisi loja, Baro “elektrizon” Tiranën B, me një gjuajtje në vijën ballore të zonës, por portieri Hila pret.

Tirana B

Më pas është Xhuveli e Kordha te Burreli që e detyrojnë portierin Egli Selgjekaj të tregojë aftësitë e veta në pritje. Ndërkohë që është Memoçi, një lojtar tepër aktiv, që zhbllokon duke shfrytëzuar edhe një gabim të mbrojtjes. Me rezultatin 1-0 mbyllet fraksioni i parë.

Në pjesën e dytë, skuadrat aktivizojnë të gjithë lojtarët që ishin në provë dhe të pranishëm në pankinë, për të parë gjendjen e tyre. Te Tirana B ra në sy aktivizimi i një futbollisti të ardhur nga Belgjika. Bëhet fjalë për Ilir Mujan, i cili bëri një paraqitje realisht pozitive.

Tirana B vs Burreli

Ai është qendërsulmues në fakt, por dje u përdor nga trajneri Alimehmeti si sulmues i krahut të majtë. I riu vjen nga akademia e Anderlehtit dhe “klasin” e tij e dëshmoi gjatë 45 minutave të dyta, ndërsa në shumicën e rasteve furnizoi shokët me topa perfektë. Falë aftësive të Mujas erdhi edhe goli i dytë në fakt, ndërsa dha një asist për Aruçin, që i vetëm përballë portierit nuk mund të gabonte.

Ndërsa në skuadrën matjane futja e Sandroel Limanit si mesfushor dhe Andi Likës si mbrojtës, bëjnë që Burreli të rimarrë veten dhe të arrijë të ekuilibrojë rezultatin.

Është Limani që kroson nga e djathta e sulmit dhe Reçi me kokë shkurton në 2-1. Në minutën e fundit vjen një supergol i Lekgegajt, me një gjuajtje gjysmërovshatë brenda zonës.

Me shifrat e barabartë mbyllet dhe ky takim miqësor. Shahin Berberi, trajneri i Burrelit, pas ndeshjes u shpreh i kënaqur, ndërsa tha: “Ky ishte një test pozitiv. Objektivi i skuadrës sonë këtë vit ende nuk është përcaktuar, sigurisht që duam të ndërtojmë një skuadër të fortë dhe konkurruese”.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"