Tirana, anulohet konferenca, ende mister projekti i sezonit të ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2016 | 12:10

Tirana, anulohet konferenca, ende mister projekti i sezonit të ri

E mbani mend kur është hera e fundit që një drejtues apo lojtar i Tiranës ka dalë në konferencë para mediave? Ka shumë kohë që nuk ndodh në fakt, afro dy muaj më parë. Një praktikë kjo që po kthehet në “modë”.

ilir daja

Ishte njoftuar që dje, në orën 11:00, presidenti Refik Halili dhe trajneri Ilir Daja do të dilnin para mediave për të shpalosur projektin e sezonit të ri dhe ndryshimet e fundit. Por, një orë e gjysmë para nisjes, u anulua me një njoftim me “sms”.

Duke mirëkuptuar arsyet e klubit, sado madhore apo objektive qofshin, minimalisht klubi ishte i detyruar që në mungesë të drejtuesve kryesorë apo kreut të pankinës, të nxirrte dikë në këtë konferencë, një përfaqësues i rangut të lartë të klubit apo zëvendëstrajner.

Kjo do shërbente për të dhënë një sqarim publik, por edhe për të informuar tifozët bardheblu për planin e së ardhmes së afërt dhe të largët. Anulimi në limit mund të merret si një mungesë respekti kundrejt atyre që i ndjekin çdo javë, në diell dhe në shi. Interesi për të zbuluar pretendimet për sezonin 2015-2016 është i madh, madje edhe pyetjet janë të shumta.

Çfarë kanë bërë deri tani? Sa kanë shpenzuar dhe sa janë sforcuar për të marrë lojtarët e afruar në merkato (një pjesë e të cilëve deri më tani kanë rezultuar si goditje)? Si do korrigjohen gabimet e së kaluarës dhe sa larg mund të shkojë kjo Tiranë? Përgjigje që mund t’i japin vetëm pjesëtarët e klubit, por që mbeten një mister.

tirana formacioni

Dhe duket jo fort normale që ky anulim ndodh në prag të nisjes së kampionatit, pasi në fund të fundit sot Tirana luan me Teutën dhe jo një miqësore të thjeshtë. Kjo heshtje të krijon idenë që bardheblutë po mbahen si një “lodër” të fshehur, që e ekspozojnë kur u leverdis.

Kjo është një praktikë e gabuar, pasi kjo vetëm sa i armiqëson dhe i lodh të interesuarit, pasi në fund të fundit bëhet fjalë për klubin më të titulluar në vend. Nuk është e thënë që të dalësh dhe të deklarosh që synon titull apo Europë, por është detyrim moral që të japësh disa përgjigje.

Nuk mund të fusësh Tiranën në një “kuti”, pasi kjo është një mungesë e theksuar serioziteti dhe në dëm të marketingut. Para disa kohësh nuk ka qenë kështu, madje kryeqytetasit kanë qenë tejet mediatikë dhe kjo dëshmohet mjaft thjesht kur kujton kohën që ekipi rrezikonte rënien, por sërish stadiumet i ka pasur të tejmbushura.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"