EKSKLUZIVE/ Tirana u ankua për arbitrin ndaj Teutës, reagon Emiljano Vila: E bënë si dhelpra me rrushtë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2020 | 9:45

EKSKLUZIVE/ Tirana u ankua për arbitrin ndaj Teutës, reagon Emiljano Vila: E bënë si dhelpra me rrushtë…

Teuta i ka bërë një nisje të mirë sezonit ku blutë pretendojnë të kthejnë titullin kampion në Durrës pas 28 vitesh. Në një intervistë për “Panorama Sport” mesfushori i durrsakëve, Emiljano Vila, shprehet se ndaj Skënderbeut nuk ishte Teuta që duhet të ishte në fushë, sidomos në 45 minutat e para. Ai ka edhe një përgjigje për atë çka pretendon kundërshtari, Tirana, ku Vila me ironi u shpreh: “Dhelpra kur nuk i arriti rrushtë, tha që ishin të pabërë”.
VILA
Çfarë ka ndryshuar te Teuta në krahasim me sezonin e kaluar?
Kemi shumë besim te grupi i lojtarëve që kemi dhe tashmë që jemi me grupin e plotë do të jemi më mirë. E kemi treguar në ndeshjet e Europës e të gjithë shqiptarët kanë parë një ekip që ka vrapuar shumë dhe kemi ndihmuar njëri-tjetrin.
TIRANA TEUTA
Barazuat me Skënderbeun dhe më pas fituat me Tiranën. Ju kënaq ky start apo duhet të bënit më tepër?
Nëse jemi të sinqertë, duhet të jemi të kënaqur deri diku nga pikët, por jo me ndeshjen ndaj Skënderbeut. Ndaj Tiranës kemi luajtur shumë herë më mirë dhe kemi arritur të fitojmë pikët. Ndaj Tiranës ka qenë një ndeshje e vështirë, por në fund objektivi u arrit. Jam shumë i kënaqur me pikët dhe shpirtin luftarak të çunave.

Tiranës sikur ia keni marrë dorën, ndërsa ata janë ankuar për arbitrin Hamiti sa u përket tri humbjeve të fundit ndaj jush. Keni një koment?
“Dhelpra kur nuk i arriti rrushtë, tha që ishin të pabërë”. Ndërsa për pjesën që kemi arritur të fitojmë, ndoshta i është bërë psikologjike kundërshtarit, që sa herë luajnë ndaj nesh, do të gjejnë një justifikim, por kurrën e kurrës nuk mund të hedhë poshtë djersën dhe karakterin e treguar nga të gjithë djemtë.

Shpesh keni ndryshuar rolet. Cili është pozicioni ideal juaji në fushë, ku ndiheni më mirë?
Realisht nuk e kam shumë problem këtë pjesë e rëndësishme është të shkoj ekipi mirë. Unë jam gati të luaj kudo ku Teuta ka nevojë.
Teuta festa e golit ndaj Tiranes
Është ky sezoni ideal që Teuta të luftojë për titull?
Me bindje them “po”. Këtë kur e them, jam me këmbë në tokë. Jemi një grup i dubluar në çdo pozicion. Kemi lojtarë me eksperiencën e duhur për titull, por duhet të flasim në fushën e lojës. Kam bindje se në fund të gjithë së bashku do të arrijmë ta gëzojmë këtë qytet.

Cilët mendoni se do të jenë rivalët direkt për kreun?
Do të jenë 3-4 ekipe ku do të veçoja Tiranën, Kukësi, Partizanin dhe Laçin, në bazë edhe të asaj çka kanë dhënë dhe grupit të lojtarëve që kanë, gjithsesi do të jetë një sezon tepër i luftuar.

Të enjten me Kastriotin në Kupë e më pas ndaj Kukësit për kampionat. Çfarë prisni nga dy ndeshjet në Durrës?
Si fillim, jemi të fokusuar maksimalisht te ndeshja e Kupës. Jemi ekipi mbajtës i trofeut dhe duhet të bëjmë më të mirën për të kaluar më tej. Ndërsa ndaj Kukësit do të jetë tjetër “muzikë” do të jetë një ndeshje e vështirë, por besoj se do t’ia dalim me sukses si në Kupë, si në kampionat.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"