Mbledhje te Tirana, Bakaj kërkon ndjesë. Halili flet për gjoba, do “kokën” e Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2014 | 9:25

Mbledhje te Tirana, Bakaj kërkon ndjesë. Halili flet për gjoba, do “kokën” e Kukësit

Tirana besa-beseËshtë zhvilluar dje pasdite mbledhja te Tirana, ashtu siç dhe ishte paralajmëruar. Në ambientet e brendshme të kompleksit “Skënder Halili”, drejtuesit e KF Tiranës, Refik Halili dhe Krenar Alimehmeti, kanë mbledhur skuadrën dhe stafin teknik për të analizuar ecurinë e deritanishme. Çdo gjë është zhvilluar pa praninë e mediave, madje janë larguar edhe gazetarët që ishin të shumtë pranë hyrjes së brendshme të dhomave, duke i spostuar mbi 50 metra larg. Kjo, në mënyrë që të mos dilte asnjë informacion nga ky “samit”. Sigurisht që tema kryesore në këtë mbledhje kanë qenë problemet e brendshme të kësaj familjeje, si dhe tensioni mes Bakajt dhe Morinës e Ndikumanës. Nga sa mësohet, për afro 90 minuta, stafi teknik dhe drejtuesit kanë ndarë me skuadrën të gjitha pakënaqësitë, duke u ndalur te gjërat që duhen përmirësuar, duke nisur nga ndeshja e radhës me Kukësin. Sipas burimeve pranë klubit bardheblu, bëhet e ditur se gjatë zhvillimit të këtij “samiti” janë sheshuar të gjitha problemet që lojtarët kanë pasur me drejtuesit dhe stafin teknik. Madje mësohet se Elis Bakaj ka kërkuar falje, por që ka marrë dhe një vërejtje nga drejtuesi i mbledhjes, Refik Halili. Gjithashtu, mësohet se gjatë këtij takimi është diskutuar lidhur me disiplinën e lojtarëve si brenda klubit, ashtu dhe në fushë gjatë zhvillimit të ndeshjeve, ku ka pasur kritika për mjaft futbollistë. Po ashtu, nuk ka mbetur pa u analizuar edhe ecuria e dobët e Tiranës në tri ndeshjet e fundit, ku jo vetëm nuk ka fituar asnjë takim, por s’ka shënuar asnjë gol.
Bakaj Drejtuesit e klubit bardheblu janë ndalur gjatë te sjellja e pahijshme e sulmuesit kryeqytetas, Elis Bakaj, për çka mësohet se ka pasur edhe një debat të ashpër nga ana e Halilit me këtë futbollist, por edhe me dy lojtarët e tjerë, Morina dhe Ndikumana. Kjo, për shkak të një konflikti me fjalë ofenduese dhe veprime të pahijshme ndërmjet tyre, gjatë miqësores me Mamurrasin para dy ditëve, kur Bakaj la fushën e lojës pa pritur që të zëvendësohej. Mesfushori me tipare sulmuese ka kërkuar ndjesë për veprimet e tij, madje mësohet se ka pasur edhe një përqafim me lojtarët e tjerë dhe me trajnerin Magani. Gjithashtu, kritika ka pasur edhe për mjaft lojtarë të tjerë, të cilët jo vetëm që nuk po kryejnë detyrat e caktuara, por janë edhe jashtë forme. Madje, ka dhe disa lojtarë që po i bëjnë vazhdë sjelljet e tyre të pahijshme ndaj njëri-tjetrit. Halili ka paralajmëruar lojtarët se, në rast sjelljesh jo korrekte me trajnerin, shokët e skuadrës, tifozët, mediat apo dhe këdo faktor tjetër, nuk do të ketë më analiza, por penalitete financiare apo dhe përjashtime nga skuadra, ashtu siç e parashikon edhe statuti i brendshëm i klubit. Dënimet e lojtarëve me kartonë kanë qenë një tjetër pikë e diskutueshme, ku vetëm në 7 javë kampionat janë ngarkuar me kartonë rreth 12 lojtarë. 22 të verdhë e katër të kuq ka qenë bilanci i kartonëve që, përveç dëmit në fushë, kanë sjellë edhe një kosto të lartë financiare. Nga sa mësohet, trajneri Gugash Magani me tone të ashpra ka kërkuar më tepër nga skuadra, ndërsa ka analizuar episodin me Ndikumanën dhe Bakajn në miqësore. Ai ka treguar se në vazhdim do të përpilojë një listë me gjoba, të cilën më pas do ta paraqesë në klub për miratim.
Kukësi Tirana do të përballet në fundjavë ndaj Kukësit, e sigurisht që kjo sfidë nuk është anashkaluar nga drejtuesit e klubit, të cilët kanë kërkuar që në këtë përballje skuadra e tyre të marrë kreun duke triumfuar ndaj tyre. Futbollistëve u është kërkuar të tregohen më korrektë në stërvitje, të mbajnë regjim dhe të mos abuzojnë jashtë fushës. Ndërkaq mësohet se për sfidën me veriorët, me shumë gjasa, do të ketë edhe një premio, e cila mund të bëhet e ditur në fundjavë përpara takimit. Gjithsesi, mësohet se drejtuesi Halili nuk ka dashur të prishë harmoninë në grupin e lojtarëve, sidomos përpara kësaj ndeshjeje vendimtare me Kukësin, ndaj dhe nuk ka marrë asnjë masë disiplinore apo penalitete. Donatori në fund ka ulur tonet, teksa ka gjetur mirëkuptimin dhe përkrahjen e të gjithë lojtarëve, ku pjesa më e madhe e tyre mësohet se kanë qenë të ndërgjegjshëm për gabimet e gjithsecilit dhe i kanë mirëpritur kritikat e bëra ndaj tyre. Në fund të mbledhjes, skuadra, stafi teknik dhe drejtuesit kanë bashkuar duart me njëritjetrin duke treguar unitet.
ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"