Tirana/ Aleks Uillian, 21 mijë euro për… stolin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2016 | 9:38

Tirana/ Aleks Uillian, 21 mijë euro për… stolin

Merkatoja e janarit nuk ka qenë fort efikase për Tiranën, sidomos afrimet në ofensivë. Dështim rezultoi Hugo Almeida, i cili erdhi dhe iku pa lënë kurrfarë shenje. uillianPas tri ndeshjesh në fushë dhe një goli të shënuar, ai mori vendimin për të shpallur “divorcin” me motivacionin se kishte probleme në gju.

Por, fakti që shumë shpjet firmosi një tjetër kontratë në Brazil, e hodhi poshtë këtë pistë. Një zhgënjim i plotë është edhe Aleks Uillian, i cili mbërriti në të njëjtën ditë me patriotin e tij te kryeqytetasit. Zyrtarisht sot ai bën 81 ditë që është nën kontratë me 24 herë kampionët e Shqipërisë, por ende nuk ka shkelur në fushë me fanellën bardheblu.

Duket se kështu do të vazhdojë për kohë të gjatë, paçka se ka nënshkruar një kontratë 6+1. Pra, me mbylljen e sezonit klubit i lind e drejta që të rinovojë me të. Mirëpo, kjo ka pak gjasa që të ndodhë, për të mos thënë që është e pamundur.

Tiranës deri më sot i ka kushtuar jo pak Uillian. Plot 21 mijë euro ka shpenzuar klubi për këtë futbollist që është duke “ngrohur” stolin. Debutimi i tij ndodhi me Tirana B, ekip që drejtohet nga Krenar Alimehmeti, ndërsa me ekipin e parë është mjaftuar vetëm me disa minuta në miqësore.

Rroga e tij mujore është 7 mijë euro dhe logjikisht deri më tani është paguar për janarin, shkurtin dhe marsin. Dhe shuma deri në mbyllje të këtij kampionati mund të shkojë në 35 mijë euro (pra deri në maj), gjithnjë nëse edhe ai nuk vepron si Hugo Alemida. Ai po përmbush kontratën e tij dhe po stërvitet çdo ditë, megjithatë kjo duket se nuk do të shmangë “divorcin”.

Vetë trajneri Ilir Daja e ka deklaruar disa herë se nuk është zgjedhja e tij e parë, madje qartësoi pas miqësores me Kamzën, se Uillianit vështirë se do t’i vijë dita që të luajë me Tiranën.

Përgatiti: ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"