“Tifozëve u premtojmë se ekipi do të kthehet aty ku e meriton”, mbrojtësi malazez: Dinamo klub i madh, Superiorja ka cilësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2021 | 19:00

“Tifozëve u premtojmë se ekipi do të kthehet aty ku e meriton”, mbrojtësi malazez: Dinamo klub i madh, Superiorja ka cilësi

Mbrojtësi malazez vlerëson skuadrën ku bën pjesë, por edhe Superioren në tërësi. Me rikthimin në Superiore, Dinamo ishte e detyruar të bënte merkato të fuqishme për t’iu përgjigjur kampionatit dhe historisë së fanellës. Presidenti Bardhi dhe drejtuesit e tjerë të kësaj skuadre e kishin të qartë këtë gjë, ndaj edhe blenë më shumë se dy formacione.

SOFRANAK 2

Por, po të shohësh afrimet e bluve bie në sy fakti se më shumë është menduar për sulmin se për mbrojtjen. Në prapavijë janë afruar dy maqedonasit Siljanovski dhe Isaevski, Ali Samake dhe Maliqi për krahët dhe vetëm Imami dhe Sofranaku për qendrën. Ky i fundit është blerja më e rëndësishme për qendrën e mbrojtjes, ku formon dyshen titullare bashkë me Imamin.

Malazezi është një lojtar i pjekur, ka përvojën e disa kampionateve të huaja, pasi përveç Malit të Zi ka luajtur edhe në Kroaci, Serbi, Bosnjë dhe Belgjikë, ndërsa ofertën e Dinamos, siç pohon vetë e pranoi menjëherë. “Erdha te Dinamo sepse është një nga klubet më të mëdha në Shqipëri, me 18 tituj kampion dhe me tifozë të mrekullueshëm.

Çfarë di për klubin?

Di që thuajse prej një dekade nuk ka qenë pjesë e Kategorisë Superiore, por e thashë që ka histori dhe 18 tituj kampion. Me projektin që po zbatohet aktualisht mendoj se do ta rikthejmë Dinamon në rrugën e suksesit”, thekson Sofranaku për “Panorama Sport”.

SKUADRA – Mbrojtësi 30- vjeçar vlerëson grupin e lojtarëve që ka Dinamo dhe është optimist për një sezon pozitiv: “Edhe ndeshjet miqësore që kemi luajtur para kampionatit kanë qenë shumë të forta dhe ajo që mund të them është se nuk duhet ta nënvlerësojmë asnjë kundërshtar. Kjo ligë ka shumë lojtarë të mirë. Ne kemi një grup shumë të mirë lojtarësh dhe të udhëhequr nga trajneri dhe kapiteni do të vazhdojmë të punojmë fort së bashku për të arritur objektivat e klubit. Fitorja ndaj Kastriotit në javën e parë të kampionatit do të thotë shumë për ne. Nuk ishte ndeshje e lehtë dhe uroj të vazhdojmë me të tilla fitore”.

RIVALËT – Sofranaku ka krijuar një ide për konkurrencën në Superiore pas disa miqësoresh që Dinamo ka luajtur në verë, si ato me Tiranën dhe Kukësin. Ai pohon se kampionati do të jetë shumë i fortë, megjithatë beson te grupi që ka Dinamo. “Di që ka shumë ekipe të forta në kampionatin shqiptar, ka ekipe me kualitet. Të gjithë ne e dimë shumë mirë që nuk do të jetë e lehtë dhe duhet të përgatitemi gjatë gjithë kohës me seriozitet. Vështirë të bëj parashikime, por tifozëve u premtoj se do të bëjmë maksimumin për të fituar çdo ndeshje dhe që Dinamo të jetë aty ku e meriton”, u shpreh në fund futbollisti malazez, që te blutë ka ardhur pas dy sezonesh aktivizim të rregullt në kampionatin e vendit të tij me ekipin e Sutjeskës.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"