Tifozët, Princi dhe Kavani, Junajtidin e lëshojnë të gjithë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2020 | 22:57

Tifozët, Princi dhe Kavani, Junajtidin e lëshojnë të gjithë

Ole Gunar Solskjaer është duke kaluar ditët më të vështira në stolin e Mançester Junajtid. Rezultatet e dobëta të këtij sezoni kanë bërë që “Djajtë e kuq” të humbasin edhe mbështetjen e tifozëve. Sipas “Mirror”, ata kanë planifikuar një braktisje masive të stadiumit “Old Trafford” në minutën e 58-të të ndeshjes kundër Uolvesit, më 1 shkurt. Minuta e 58-të simbolizon përkujtimin e tragjedisë ajrore të Mynihut në vitin 1958. Lojtarët e Junajtid shijuan një ditë në SPA në një hotel luksoz të enjten, pasi u vërshëllyen në fushë për humbjen me Bërnlejn në “Old Trafford”, duke i zemëruar tifozët si me pronarët Glejzër, ashtu edhe me administratorin Uduard. Ata kanë vendosur që në ndeshjen e ardhshme të kampionatit në shtëpi, të protestojnë.

junajtid

 

PRINCI 

Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohamed bin Salman, i cili ka shfaqur interes gjithnjë për të blerë klubin e “Djajve” nga familja Glejzër, duket se është dorëzuar. Sipas “Wall Street Journal”, miliarderi ka nisur bisedimet me Majk Eshlin për blerjen e klubit të Njukasëllit për shifrën e 340 milionë paundëve. Bin Salman ishte gati që të blinte Mançester Junajtid për një shifër rekord prej 3 miliardë paundësh, por rezistenca e pronarëve amerikanë vitin e shkuar ndoshta ka bërë që ai të tërhiqet përfundimisht nga kjo ëndërr. “Qymyrxhinjtë” janë një alternativë shumë më e lirë për princin saudit, i cili nuk do të ketë nevojë ta fusë dorën në xhep aq thellë sa me “Djajtë”.

kavani

I REFUZON KAVANI

Për t’i dhënë fund krizës së dëmtimeve dhe zëvendësuar Markus Rashfordin e dëmtuar për javët e ardhshme, Solskjaer po mendon që të afrojë një sulmues në merkaton e janarit. Sipas “Foot Mercato”, Junajtid ka bërë një ofertë shumë të lartë për Edinson Kavanin, por ajo është refuzuar nga sulmuesi uruguaian, sepse ai preferon një transferim në Madrid, tek Atletiko. “El Matador” nuk luan me PSGnë prej 12 janarit dhe i ka dorëzuar klubit një kërkesë transferimi këtë muaj, kur ka hyrë në 6 muajt e fundit të kontratës në “Parc des Princes”. 32- vjeçari ka një akord me Atletikon, por oferta e spanjollëve prej 10 milionë eurosh është shumë e ulët për kërkesat e francezëve.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"