“Tifozët kanë të drejtë”, Daja: Jam dakord që të luajmë dhe fitojmë kështu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2021 | 19:38

“Tifozët kanë të drejtë”, Daja: Jam dakord që të luajmë dhe fitojmë kështu

Trajneri i Partizanit, Ilir Daja, e ka cilësuar si të merituar fitoren 2-1 ndaj Teutës, edhe pse ajo erdhi me një përmbysje në minutat e fundit dhe në shtesë të duelit. Në fjalët e tij për “SuperSport”, Daja pranoi se ishte fitore e vuajtur, por që kishte nxjerrë në pah shpirtin.

Daja

“Jam dakord që është fitore e vuajtur se është fitore karakteri, sidomos të përmbysësh me Teutën që mbrohet mirë në fund, për më tepër kur je në disavantazh. Tregon që lojtarët luftojmë për këtë fitore dhe besuan deri në fund duke ia arritur.

Jam shumë i kënaqur nga paraqitja se kur kemi luajtur mirë nuk kemi marrë rezultate, e asnjë nuk tha që luajti Partizani mirë, por të gjithë thanë që ka pasur krizë rezultatesh, që është e vërtetë. Ndaj po të vazhdojmë kështu e të marrim tre pikët, do të isha dakord.

T’i besosh manovrës është një gjë, por mbi të gjitha është karakteri dhe mentaliteti i lojtarëve për të shkuar drejt fitores. Se çfarëdolloj manovre, apo skeme, është në plan të dytë. Në plan të parë është mentaliteti, sakrifica e dëshira për të shkuar drejt fitores. Nuk është se besojmë vetëm te skuadra, por edhe te këto të tjerat.

Te skuadra është ana psikologjike dhe në momentin kur je me pikë mirë edhe nga ana psikologjike, ndoshta ke një bonus për të startuar lojën. Marrja me patjetër e fitores nga kriza e rezultateve dhe pikëve që kemi pasur në fazën e parë, shton më shumë anën psikologjike, kjo është ajo që të çon në stres për lojtarët.

Ne me të vërtetë nuk kemi goditur shumë portën, por rastet i kemi patur. Nuk do të thosha që në këto ndeshje fitoi manovra, por sakrifica dhe dëshira që kishin lojtarët për të shkuar drejt fitores.

Nuk merrem me sezonin e kaluar, por në ndeshjen e hapjes me Teutën në fazën e parë ku kemi shënuar një gol vetë dhe kemi humbur penallti që do të thotë fati edhe nuk ka qenë me ne. Ndërsa sot përtej sakrificës edhe fati ishte me ne, se në përmbysje në fund edhe fati është faktor. Shpresojmë që të jetë sinjal i mirë për fazën e dytë, por duhet fitore për të rikuperuar pikët dhe pozicionin në tabelën e klasifikimit.

Tifozët kanë të drejtë se në rastin e fitoreve të munguar e pikëve të munguara, sigurisht kanë të drejtën të protestojnë brenda rregullave. Nuk kanë bërë asgjë jashtë rregullave. Kështu që atë që kemi bërë keq, na del për detyrë ta rikuperojmë që të jetë një mirëkuptim më i madh mes tifozëve dhe grupit të lojtarëve”, tha Daja.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"