Tifozët e Realit falin Zidanin për eliminimin nga Championsi, Murinjo gati t’i bëjë nder francezit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2020 | 11:39

Tifozët e Realit falin Zidanin për eliminimin nga Championsi, Murinjo gati t’i bëjë nder francezit

Pavarësisht fitores së titullit kampion, te Reali i Madridit, eliminimi i shpejtë nga Champions-i, shihet gjithmonë si një dramë e madhe, duke qenë se po flasim për rekordmenët e këtij kompeticioni me 13 trofe të fituar. Prandaj, teksa në ditët e fundit po përflitet se presidenti Florentino Perez mund të mendojë një revolucion të përgjithshëm në skuadër, duke parë se disa liderë si Kros, Modriç, por ndoshta edhe trajneri Zidan, duken sikur i kanë shkarkuar të gjitha bateritë, e përditshmja “Marca” ka bërë një sondazh.
zidane casemiro
Gazeta spanjolle u ka kërkuar pikësëpari tifozëve nëse skuadra duhet të vazhdojë me francezin edhe sezonin e ardhshëm dhe nga diçka më shumë se 100 mijë votues, 73 për qind e tyre i kanë dhënë besimin “Zizusë”.

MURINJO E “NDIHMON” – Por nëse ultrasit janë me Zinedin Zidanin, është ky i fundit që i kërkon presidentit Perez që të nisë të bëjë disa përforcime të rëndësishme në merkato, por përpara këtyre t’i largojë disa futbollistë që nuk janë më në planet e francezit, si Garet Bejli mbi gjithë të tjerët, por edhe Hames Rodrigez. Madje, me qëndrimin e uellsianit në Madrid, sezonin e ardhshëm priten sherre më të shumta mes Bejlit dhe Zidanit, duke qenë se situata mes të dyve tashmë ka kapur majat dhe vetëm largimi i britanikut mund të bëjë që trajneri të punojë disi më i qetë te Reali. Dhe nga Anglia nënvizojnë se në ndihmë të madrilenëve vjen Zhoze Murinjo.
Murinjo
Ky i fundit ka nisur nga puna për të ndërtuar një Totenhem që të synojë lehtësisht Champions-in sezonin e ardhshëm dhe Garet Bejl është një prej emrave të listës së portugezit. Trajneri iberikas, i cili pritet që të ketë një fond të rëndësishëm për merkaton, fillimisht do të provojë që të mos bëjë çmenduri për uellsianin e Realit, por ideja e tij është ajo e një huazimi me të drejtë blerjeje, ose një afrim përfundimtar për jo më shumë se 50 milionë euro. Dhe ndoshta, madrilenët do ta mirëpresin interesimin e Murinjos, vetëm për të larguar “rebelin” e Realit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"