“Tifozët e Partizanit të tregojnë fytyrën në derbi”, kapiteni i të kuqve kërkon fitoren në fundjavë: Të thyejmë tersin e “Air Albania”
Partizani barazoi pa gola në Kupë ndaj modestëve të Orikut, por Bitri nuk e bën dramë. Ai flet edhe për derbin, ku shprehet se atij dhe shokëve u duhet me patjetër të thyejnë “tersin” e stadiumit “Air Albania”, ku nuk kanë fituar asnjëherë ndaj Tiranës. Bitri shprehet se pret një rekord tifozësh ditën e diel ndaj Tiranës.
Si ndikon ky barazim me Orikun për përgatitjen e derbit?
Ndeshja e sotme duhej fituar, sepse na ndihmon akoma më shumë për moralin, por kjo nuk do të thotë gjë. Ndaj Tiranës është tjetër histori. Nesër nis java e derbit.
Si ndikon te ju fakti që shkoni si favoritë në derbi, duke u nisur nga pozicioni në renditje?
Derbi nuk ka favorit. Edhe U-19 të luajë, është një ndeshje shumë e fortë dhe e barabartë dhe kush jep më të mirën, fiton.
Nuk e keni mundur Tiranën në “Air Albania”, do ta thyeni këtë mallkim?
Është e vërtetë, duhet të thyejmë tersin në “Air Albania”, por mendoj se duhet të jemi të qetë, sepse ajo ndeshje i ka të tria rezultatet dhe duhet të bëjmë maksimumin për të dalë me kokën lart dhe për të marrë tri pikët. Të jemi sa më të përgjegjshëm gjatë ndeshjes dhe të tregohemi sa më cinikë.
I keni dhënë ndonjë këshillë për derbin lojtarëve të ardhur së fundmi?
Çunave të rinj që kanë ardhur tani u kemi treguar se si funksionon derbi në Shqipëri. Kjo ndeshje luhet për tifozët, si për Partizanin edhe për Tiranën dhe në këtë sfidë duhet të tregojmë shumë maturi.
Keni një mesazh për tifozët përpara derbit?
Mendoj se në këtë ndeshje tifozët e Partizanit duhet të tregojnë fytyrën e tyre. Na japin gjithmonë mbështetjen maksimale dhe në çdo derbi e kanë mbushur, por kësaj here mendoj se do të jenë më të shumtë, do të thyejnë rekord.
Si ndiheni tani që jeni graduar kapiten?
Shiriti i kapitenit të Partizanit është një detyrë me përgjegjshmëri të madhe, sepse është shumë serioze. E kam marrë me dëshirën më të madhe. Gjithsesi, mendoj se Albani (Hoxha) është i pari, këtu te Partizani është me hierarki. Nuk jam vetëm unë kapiteni, është edhe Telushi bashkë me mua dhe Hoxhën.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"