Tifozët e Laçit thumbojnë Skënderbeun: Merruni me trukime, do luani me Tërbunin. Ne ju nxorëm 2 herë kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2018 | 17:36

Tifozët e Laçit thumbojnë Skënderbeun: Merruni me trukime, do luani me Tërbunin. Ne ju nxorëm 2 herë kampion

Ndeshja mes Laçit dhe Skënderbeut, e cila u përfol fillimisht se nuk do të zhvillohej në këtë mesjave, u caktua ditën e fundit që të luhej në stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet. “Panorama Sport” sjell momentet pikante para dhe gjatë ndeshjes për këtë takim.

Laci-Skenderbeu

* Në “Selman Stërmasi” luhet pas vetëm 18 orësh, kur Tirana dhe Kukësi zhvilluan takimin e kësaj jave, por në orën 13:00, kur skuadrat zbresin në fushë, terreni është në kushte perfekte.

* Laçi del e para në nxehmje, në orën 13:15. Për korçarët, dy portierët nën urdhrat e përgatitësit Ilir Bozhiqi kishin dalë më përpara, ndërkohë që skuadra zbret në fushë në orën 13:20. * Ndeshja në fushë asnjanëse ofron pak spektatorë. Rreth 200 të pranishëm në “Selman Stërmasi”.

* Goli i shpejtë i dha mundësinë Laçit që për disa minuta në pjesën e parë të fokusohej në administrimin e kujdesshëm të sferës sa herë e kishte në këmbë. Mjaftuan disa pasime radhazi prej tyre që nga tribuna të lëshohej një thirrje: Hajde Barcelona! * Trajnerët nuk janë ulur për asnjë moment. Memelli, nisur nga ish-karriera si sulmues, është shumë më shumë protagonist sesa Shehi. Këshilla dhe kritika për të gjithë: Në fund ka edhe “bravo çuna, kjo është”.

Laci-Skenderbeu 2-0

* Xhixha nën shënjestër. Në fillim të ndeshjes, mesfushori “mbytet” nga kritikat dhe këshillat. Memelli i kërkon të mbulojë çdo shpërthim të Muzakës, të jetë i shpejtë në dalje për kundërsulm, i saktë në çdo pasim dhe i rrezikshëm në presing. Shumë! Si të mos mjaftonte trajneri, edhe Shtubina nga ana tjetër ka këshilla dhe detyra. Megjithatë s’e humb toruan, vijon bën detyrën. I pakalueshëm dhe “motor” në mesfushë. E bën krahun “vizë”.

* Agresiv, i saktë në vendosje, i pakalueshëm në disa momente dhe me një pasim të gjatë thuajse perfekt për të ndërruar krahun e lojës. Për disa minuta, ishte nën presion nga korçarët, por ia del të kalojë më së miri situatat dhe “shpërblimi” i vjen nga tribuna. “Bravo Roberto Karlos. Kështu vazhdo!”

* Në pushim, kur Berisha afrohet te tuneli për të dalë, tifozët kanë këshilla me “kunj” për korçarët. “O Berisha, gjuaji portës sa herë ke mundësi se nuk kanë më Shehin. Portier patatinash kanë”.

* Nuk mungojnë thumbimet e tifozëve të Laçit për korçarët. “Merruni me trukime merruni, se me Tërbunin do luani”, ishte një thirrje që më tej pasohet. “Dy herë ne ju kemi nxjerrë kampionë”, nga tifozët e Laçit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"