Tifozët anglezë duan “kokën” e Sauthgejtit, lojtarët e mbrojnë: Është njeriu i duhur!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2022 | 8:52

Tifozët anglezë duan “kokën” e Sauthgejtit, lojtarët e mbrojnë: Është njeriu i duhur!

Tifozët anglezë kërkojnë shkarkimin e trajnerit Garet Sauthgejt pas humbjes turpëruese me Hungarinë në Ligën e Kombeve.

SAUTHGEJT

“Tre Luanët” u shpërfytyruan në “Molineux” 4-0 nga magjarët ndërsa nuk fitojnë prej 4 ndeshjesh në këtë kompeticion duke ngritur alarmin 5 muaj përpara Botërorit.

Por pavarësisht se Sauthgejt ka rezultatet më të mira në stolin e kombëtares që prej Botërorit të 1966-ës (gjysmëfinale në Rusi 2018 dhe finale në “Euro 2020”), në një sondazh të “The Sun”, 60.7 përqind e gati 5 mijë votuese në fakt kërkojnë shkarkimin e tij nga stoli (2838 vota). 25% (1167 votues) mendojnë se rezultatet e tij janë të shkëlqyera ndërsa 671 persona (14.3%) votuan se nuk e dinë.

LOJTARËT E MBËSHTESIN – Mes vërshëllimave për rezultatin e skuadrës së tij Sauthgejt mori përgjegjësinë për rezultatet e fundit negative duke thënë se ishte faji i tij. Kapiteni Herri Kejn i doli në mbrojtje dhe tha se ai vazhdon të jetë njeriu i duhur për të drejtuar kombëtaren:

“Unë e kuptoj zhgënjimin e tifozëve. Ne duam të fitojmë çdo ndeshje sa herë veshim fanellën e anglisë, por tifozët duhet ta kuptojnë këtë. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë për të pasur një Botëror të suksesshëm.

Le të mos harrojmë se nga vijmë në këto 50 vitet e fundit”. Të njëjtën gjë bëri edhe sulmuesi i Sitit, Rahim Sterling:

“Futbolli ndonjëherë mund të jetë mizor. Sigurisht që është zhgënjyese.

Trajneri nuk mund të gjykohet nga disa ndeshje. Po të shihni hapat që kemi bërë në turnetë e fundit, ku arritëm në një gjysmëfinale dhe finale, nuk mendoj se disa rezultate të këqija në Ligën e Kombeve janë diçka që ne mund ta gjykojmë”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"