Tifoze e Milanit, Vilma Masha: Në stadium kam parë më shumë Romën, biletat një stres

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2022 | 19:26

Tifoze e Milanit, Vilma Masha: Në stadium kam parë më shumë Romën, biletat një stres

Ka shumë nga ata që pyesin me kë është tifozë Vilma Masha? Jo vetëm për kampionatin shqiptar, por edhe për skuadrat e huaja. Vetë moderatorja e “SuperSport” e pranon që është tifoze e Milanit, por vitet e fundit i ka rastisur të ndjekë në stadium nga afër ndeshjet e… Romës.

VILMA MASHA

Nuk bëhet fjalë për Romën e Murinjos, por atë të disa viteve më parë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Vilma Masha thotë se i është shndërruar në ankth pyetja e kohëve të fundit: “A na gjen dot një biletë për finalen e Conference League më 25 maj në Tiranë”.

Vilma, si po e përjetoni finalen Roma-Fejnord?

Si një finale e madhe të them të drejtën. Më vjen mirë që një vend si yni mirëpret 2 skuadra me histori, e aq me tepër me tifozëri speciale. Unë po merrem me emisionet maratonë në shesh me fans zonë e që do të transmetohen në “Digitalb”.

Po ekzagjerohet pak me vëmendjen që po merr në Shqipëri apo është normale për një eveniment të tillë?

Në mbulimin mediatik më duket shumë normale, ndërsa te njerëzit e zakonshëm po ekzagjerohet. Pa i hequr asnjë rëndësi ndeshjes, e shoh këtë etje të çmendur për bileta, tek ata që s’kanë parë kurrë futboll. Është bërë trend, “të kemi një biletë për finalen…”

Vilma Masha foto

Kemi parë foto tuajat duke ndjekur Romën në stadium vite më parë… Jeni fanse e Romës apo rastësi?

Është e çuditshme në fakt se si unë e kam parë 4 herë Romën në stadium, 3 herë në Romë dhe 1 në Milano. Totalisht rastësi pasi unë jam tifoze e Milanit. Hera e parë ka qenë më 3 Maj 2009 në “Olimpiko” në kampionat. Më pas, më 18 tetor 2009 në “San Siro”, Milan-Roma.

Në Champions League kam parë Roma-Bazel, në mos gaboj në tetor 2010. E fundit ka qenë për Kupë LacioRoma, 26 maj 2013. E bukura e atyre ndeshjeve ka qenë se i kam përjetuar me tifozë të çmendur të Romës, ku nuk guxoja të thosha se jam me Milanin. Vetëm në Milano kam bërë tifozllëk tamam.

Vilma3

Ndeshje të bukura vërtet, dhe pas himnit të Milanit, i dyti vjen i Romës që e di përmendësh dhe më pëlqen shumë. Kam qenë me fat që kam parë me mijëra tifozë të këndojnë me lot në sy himnin e skuadrës. Emocionuese pa fund. Plus kam parë Romën e kapitenit të përjetshëm, Romën e Totit, një super kënaqësi.

Sa miq ju kanë kërkuar biletë për finalen?

Ju lutem, mund ta kishit shmangur këtë pyetje… Më kap ankthi. Pas Kombëtares, ndoshta edhe më shumë kam pasur telefonata për këtë finale. Një çmenduri kolektive do ta cilësoja unë. Edhe pse e kam sqaruar me dhjetëra herë që nuk ka bileta në shitje, por vetëm nëpërmjet uebsajtit të UEFA-s, ky popull nuk bindet. Telefoni bie pa pushim: “A gjejmë dot ndonjë biletë?” Fjalia e muajit.

Vilma3

Për cilën skuadër bëni tifo në këtë finale?

Për Romën, e kam më të dashur këtë skuadër se Fejnordin. Do të doja shumë të fitonte Roma dhe Murinjo, si një trajner që e mban presionin në të tilla nivele dhe të vendosë edhe një tjetër rekord personal, duke u bërë i pari që fiton 3 kompeticionet e UEFA-s. Por natyrisht do të ishte kënaqësi për shumë shqiptarë që të triumfonte Roma e Kumbullës, një lojtar i rëndësishëm i Kombëtares sonë, i cili besoj ndihet me fat që një finale kaq të rëndësishme do ta luajë në Tiranë. Shpresoj të bëhet një ndeshje e bukur, nga ato që mbahet mend gjatë.

NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"