Tifoz i Realit me idhull Nejmarin, pogradecari Liçkollari: Kam ofertë nga Lushnja, por preferoj Luftëtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2017 | 13:20

Tifoz i Realit me idhull Nejmarin, pogradecari Liçkollari: Kam ofertë nga Lushnja, por preferoj Luftëtarin

Jurges Liçkollari është një prej emrave të rinj që po lakohet shumë në këtë merkato vere. Sulmuesi i Pogradecit, 19 vjeç, kërkohet nga disa ekipe të Superiores. Së fundmi, ai ka spikatur me liqenorët ku luan prej dy sezonesh. Luftëtari dhe Lushnja janë dy ekipet që kërkojnë aktualisht shërbimet e lojtarit. Vetë futbollisti ende nuk e ka vendosur përfundimisht. Në një prononcim për gazetën ai zbulon ofertat dhe tregon dëshirat se me cilën skuadër do të luajë në kampionatin e ardhshëm.

Jurgesi Lickollari Pogradeci

LIÇKOLLARI

“Kam oferta nga Lushnja dhe Luftëtari për momentin. Më e mundshme është për të luajtur te skuadra lushnjare, por më shumë do të më pëlqente të vishja fanellën e ekipit gjirokastrit. Mendoj se jam gati për Superioren, por jo se kam vendosur përfundimisht të largohem nga Pogradeci.

Në ditët në vazhdim do të shqyrtoj me imtësi çdo ofertë dhe kontakt dhe më pas do të vendos. Sigurisht, të luash në Superiore është një hap shumë i rëndësishëm për mua në karrierë, por më duhet që të shoh ofertat dhe pastaj të vendos”, deklaroi fillimisht Liçkollari në prononcimin e tij për gazetën.

I pyetur në lidhje me idhullin e tij, sulmuesi i krahut preferon Nejmar. “Ai është idhulli im. E pëlqej shumë edhe për faktin se kam të njëjtin pozicion me të. Ndërsa, për sa u përket ekipeve, simpatizoj Realin e Madridit”, deklaroi Liçkollari në reagimin e tij.

Së bashku me Shkullakun kanë krijuar një dyshe të frikshme te Pogradeci në sezonet e fundit dhe të dy shihen si goditje për disa skuadra të Superiores. Deri tani, gjithçka është në kuadër të diskutimeve dhe bisedave. Më vonë pritet që të vendoset përfundimisht dhe Liçkollari të vendosë se me cilën skuadër do të vazhdojë karrierën. Ndërkaq, Luftëtari deri tani nuk ka bërë asnjë afrim në këtë merkato vere.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"