“T’i bashkohemi protestës”, Bezhani: Sporti në kolaps, futbolli do të futet në histori për heroizëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2020 | 23:02

“T’i bashkohemi protestës”, Bezhani: Sporti në kolaps, futbolli do të futet në histori për heroizëm

Pas një heshtjeje prej kohësh, ka reaguar edhe presidenti i KOKSH, Viron Bezhani, në lidhje me përplasjet mes Ligës Profesioniste të Futbollit dhe qeverisë. Me anë të një qëndrimi publik, Bezhani akuzon qeverinë edhe për qendrën olimpike të ndërtuar, për të cilën nënvizon se përfitim ka bashkia që ka marrë zyrat e saj. Ndër të tjera, u bën thirrje federatave t’i bashkohen protestës së futbollit.

bezhani (1)

Ja deklarata: “Sporti në Shqipëri ka hyrë në fazën e tij më të errët të ekzistencës. Në 30 vite demokraci është bërë shumë pak, thuajse aspak për sportin, që ka mbetur mjeran, shpesh i lënë në mëshirë të fatit. Sikur të mos mjaftonte paaftësia drejtuese e qeverisë, pa plane e projekte konkrete për zhvillimin e tij si dhe pa një ligj sporti që ta mbështesë atë, u desh edhe pandemia që t’i vihej vula krizës në sport. Kohët e fundit kam ndjekur me shumë interes atë që po ndodh në futbollin shqiptar, që ka hyrë në konflikt me qeverinë. Kampionati i futbollit ka ndalur ose më saktë nuk nisi. Nëse Liga e ka seriozisht këtë problematikë dhe vazhdon të këmbëngulë në kërkesat e saj, po i bën një nder të madh sportit. Pa frikë mund të them se të gjithë ata anëtarë të Ligës Profesioniste do të quhen heronj dhe do të mbesin në historinë e sportit shqiptar si njerëzit që bënë kthesën e madhe në sportin shqiptar. Sporti në vendin tonë ka vite që lëngon dhe mund të themi pa frikë se është në limitet e tij të ekzistencës.

Qeveria – Kur dëgjoj që dalin dhe rrahin gjoksin se kjo qeveri ka bërë këtë apo atë gjë, më vjen turp. Nuk e di se ku e gjejnë kurajën këta ‘kuadro’ që dalin në televizione dhe mundohen t’i mbushin mendjen vetes dhe të tjerëve se kjo qeveri na paska bërë namin. E dimë shumë mirë se ka 30 vjet që asnjë qeveri nuk e ka vlerësuar sportin, jo më të bëhet fjalë për programe apo ligje që të jenë në ndihmë të sportit. Nuk e di gjendjen e sportit në Afrikë, por sa për Europën dhe Ballkanin jemi shumë larg vendeve të tjera, madje edhe ndaj fqinjëve tanë. Nuk jemi as sa 1/4-ta e Kosovës. Po flitet shumë për drejtësinë e SPAK dhe, për t’u habitur, kërkesave të Ligës Profesioniste të Futbollit kryeministri u përgjigjet se paska evazion fiskal.

KOKSH-seminar-2017-Bello-Bezhani-Gjonaj

Edi Rama – Z. kryeministër, nga kush pret që ta zgjidhë nëse ka? Dëno këta të kundërligjshmit dhe hapi rrugë sportit se nuk ke arsye pse ta sakatosh në këtë mënyrë futbollin dhe sportin. Mirë në futboll paska evazion fiskal, po në shumësportësh, çfarë evazioni ka? A e dini që gjatë pandemisë vetëm sporti nuk ka marrë pagë lufte, ndërsa në të gjithë Europën po bëhet një vlerësim maksimal për sportin? Ata drejtues të Ligës së Futbollit e dinë mirë se do merrnin vetëm fjalë dhe premtime në takimin me të deleguarit e kryeministrit.

Z. Rama kërkesat i ka të qarta, po të ketë vullnet le t’i realizojë. Mburren me stadiumet se shteti i paska dhënë leje për t’u ndërtuar. Mburren me qendrën olimpike, që është bërë për interesin e tyre, pasi treçerekun e zyrave i ka bashkia. A e dini se për një ndeshje ndërkombëtare Federata e Basketbollit ishte duke dështuar të merrte pjesë, pasi ajo qendër olimpike, që duhet të jetë në shërbim të sportit, kërkoi 8 mijë dollarë, të cilat i pagoi KOKSH. Një qendër olimpike që ka vetëm rrathët olimpikë, pasi Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar nuk ka asnjë dhomë. Mburren me palestrat e reja të shkollave, të cilat janë jashtë standardeve minimale për t’u stërvitur e zhvilluar ndeshje.

Liga – Të nderuar anëtarë të Ligës Profesioniste të Futbollit, si president i Komitetit Olimpik do doja t’ju falënderoja dhe t’i bëja thirrje të gjitha federatave: Mjaft duruam! Nuk mund ta lëmë sportin të nëpërkëmbet në këtë mënyrë. Jo vetëm futbollin, por të gjitha sportet në vendin tonë, që kanë heshtur prej muajsh e vitesh. Asnjë qeveri nuk e ka vlerësuar sportin kur dihen vlerat e jashtëzakonshme që ka sporti në shoqërinë tonë. Prandaj, duhet jo vetëm t’i falënderojmë ata njerëz të futbollit që po përballen me qeverinë, por edhe t’i bashkohemi kësaj nisme dhe t’i themi çdo zyrtari që mendon se sporti është thjesht një lojë me top se e ka gabim. Pa sport, pasionin më të madh të të gjithë shqiptarëve, ky vend nuk mund të ketë të ardhme”, shkruhet në deklaratën e presidentit të KOKSH, Viron Bezhani.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"