Thyhet mallkimi pas 9 vitesh, Elbasani merr fitoren…pa zbritur në fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2020 | 21:44

Thyhet mallkimi pas 9 vitesh, Elbasani merr fitoren…pa zbritur në fushë

Do të duhej një fitore pa zbritur në fushë që Elbasani të thyente mallkimin e kalimit të një turi në Kupën e Shqipërisë. Për herë të fundit verdheblutë kanë kaluar më tej në këtë kompeticion në vitin 2014, pas dy barazimeve me Shkumbinit. Që nga ajo periudhë, prej pesë sezonesh radhazi eliminoheshin vazhdimisht që në takimin e parë. Ndërsa, për t’u rikthyer te fitorja e fundit në këtë Kupë, duhet të kthehemi akoma më pas në kohë, pikërisht në 26 tetor 2011, kur do të mundnin skuadrën e Dinamos në transfertë me rezultatin 1 me 2.
Elbasani Shkumbini
Nëntë vite plot për të shijuar një fitore në Kupën e Shqipërisë, edhe pse bëhet fjalë për një fitore në tavolinë, sepse në fushë mund të vijonte ky bilanc negativ. Sakaq, ekipi është duke menduar për ndeshjen hapëse të kampionatit, atë ndaj Egnatias, e cila do të luhet në qytetin e Cërrikut. Pritet që Shkëlqim Lleshanaku ta ketë të plotë të gjithë ekipin për këtë sfidë dhe shpresohet që ta nisin me këmbën e mbarë, duke qenë se rezultati i ndeshjes së parë, sipas statistikave të sezoneve të mëparshme, ka qenë si një barometër për ekipin e Elbasanit. Fakti që kundërshtari luajti në Kupë dhe për më tepër arriti kualifikimin me penallti, mund të jetë një plus për verdheblutë, të cilët janë më të freskët për këtë përballje dhe mund të bëjnë që diferencat në kualitete të mos ndihen në fushë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"