“Thumbat” e Starovës: Lojtarë të ardhur nga plazhi, edhe Rrogozhina do luante më mirë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2018 | 23:31

“Thumbat” e Starovës: Lojtarë të ardhur nga plazhi, edhe Rrogozhina do luante më mirë (E PLOTË)

Ish-trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, ka preferuar që ndeshjen e djeshme me Flamurtarin ta ndjekë nga tribuna e gazetarëve. Pas përfundimit të aventurës me Feronikelin në Kosovë, “Bobi” është angazhuar si opinionist sportiv në televizion, kështu që ai ishte i përgatitur dje me stilolaps dhe letër duke mbajtur episodet e takimit.

 

starova

Ai ndoqi ndeshjen nën praninë e ishsulmuesit të kuq, aktualisht me statusin e menaxherit, Elton Marini. Gjatë ndeshjes, ata bënë edhe një minianalizë, të cilën “Panorama Sport” do jua paraqesë të detajuar:

– Minuta e pestë, Bardhi është i vetëm dhe më pas shërben. Për këtë episod Starova iu drejtua Marinit: “Duhet ta mbajë topin në këtë rast, derisa nuk shikon se nuk ka shok afër vetes. Ti e kupton se ke qenë vetë sulmues”.

– Më pas biseda zhvendoset te loja e Trashit, i cili po bënte një paraqitje të mirë në krah të majtë. I pyetur për këtë, Starova u shpreh: “Trashi linjën e bën shumë mirë, qoftë si mbrojtës apo i avancuar. Ndërsa në qendër të mesfushës nuk e bën dot më, se nuk e ka atë takatin e fillimit”.

– Sa i përket Flamurtarit, ku thuhej se kanë bërë ekip pretendent, “Bobi” ka një këndvështrim tjetër, të cilën nuk nguron që ta thotë me zë të lartë në tribunën e gazetarëve. “Për çfarë Flamurtari po më thoni? Është ai ekipi që me zor i shpëtoi vjet rënies nga kategoria, si dhe kanë marrë edhe Torasën nga plazhi”, u shpreh ish-trajneri i kuq.

– Minuta e 15-të e takimit dhe Starova vjen me batutën e radhës: “Kaluan 15 minuta lojë dhe Flamurtari se ka kaluar akoma mesin e fushës. Sikur po luan Rrogozhina, por edhe ata do të kishin dalë një herë”.

– Minuta e 30-të. Flamurtari vijon të jetë i mbyllur në gjysmëfushën e tij. “Po mbaron loja dhe këta (vlonjatët) akoma nuk e kanë kaluar mesfushën, si të ishin ekip i Kategorisë së Dytë”, vijoi më tej Starova. – Minuta e 36-të. Torasa jep një shkëndijë në të majtë dhe dikush i thotë “Bobit” se argjentinasi po e gjen veten. Por, ish-trajneri vjen me batutën e radhës: “Po, po, merr 7 mijë euro rrogë në muaj dhe më thua po bind. Problem i tij është se ai luan shumë larg portës, ndaj nuk ka çfarë të bëjë. Pastaj pa gjë nuk është, por ka ardhur nga plazhi te Flamurtari”.

– Minuta e 43-të. Starova mban statistikat e ndeshjes dhe në këtë moment regjistrohet gjuajtja e parë e miqve në portën e Partizanit. Në këtë moment Starova shkruan në letër, por e edhe e komenton me zë: “Minuta e 43-të, gjuajtja e parë në portë e Flamurtarit”.

– Në pjesën e dytë “Bobi” u tregua më i qetë duke mos komentuar ato që po ndodhnin në fushë. Gjithsesi, ai e ka një koment për lojën e Jurgen Bardhit. “Po luan shumë mirë dhe mendo që nuk është ‘pykë’ e parë. Mendo po të kishte një ‘pykë’ të mirëfilltë përpara se sa rezultativ do të ishte”, u shpreh ish-trajneri i “demave”.

Trashi Starova

– Minuta e 82-të. Batha me gjuajtjen e tij regjistron rastin e dytë në portën e Partizanit, gjë të cilën Starova e shënon në letrën e tij, por edhe e komenton me zë: “Goditja e dytë në portë vjen në minutën e 82-të”.

– Minuta e 90-të. Arbitri akordon goditje dënimi për të kuqtë, nga ku vjen edhe goli i Telushit. Por para gjuajtjes Starova vë re një veprim të gjyqtarit Cjapi kur po vendoste murin. “Eeee, arbitri ka bërë shtatë hapa. Ia numërova. E ka vënë murin me 7 hapa”, u shpreh “Bobi”.

– Në fund Starova bën edhe një koment të shkurtër për lojën e Flamurtarit dhe gjendjen e tij. “Dy gjuajtje në portë dhe dy korne, ky ishte Flamurtari i sotëm që e quajnë pretendent. Flamurtari ka problem në qendër të mesfushës. Janë shumë të ngadaltë dhe të lexueshëm, ndërsa në reparte të tjera kanë zgjedhje të shumta dhe madje më të mira se Partizani. Këtë problem në qendër do ta vuajnë shumë edhe në vazhdimësi”, përfundoi komentin e tij në tribunën e gazetarëve ish-trajneri i Partizanit, Sulejman Starova.

TË VEÇANTA TË TJERA 

*Në minutën e 23-të, Alvesh ankohet tek arbitri anësor Çokaj për mosakordimin e një faulli në favorin e tij. Në këtë moment afrohet trajneri Daja që i kërkon lojtarit të lërë debatet me anësorin dhe të shkojë e zërë pozicionin e tij në fushë.

Partizani55

*Tifozët e Partizanit në minutën e 63-të të gjithë ngrihen në këmbë dhe duartrokasin autorin e golit të parë, Mensah, kur po zëvendësohej me Koten. E njëjta gjë ndodhi edhe me zëvendësimin e Trashit.

*Bruno Telushi, në shenjë respekti nuk festoi golin që i shënoi ekipit të vendlindjes. Vlonjati është tradhtuar nga emocionet, pasi është parë duke fshirë lotët pas golit. Ndërsa pas ndeshjes ai ka festuar me familjen e tij dhe dy fëmijët që i mori brenda.

* Ilir Daja ankohet pas goditjes së dënimit që solli golin e dytë dhe sidomos për katër minutat shtesë, pasi priste më tepër. “Nuk ishte faull”, i tha trajneri i Flamurtarit kryesorit Cjapi.

* Kapiteni i Partizanit, Alban Hoxha, pas përshëndetjes së tifozëve në përfundim të takimit, kur po u drejtohej dhomave të zhveshjes është afruar pranë tribunës B ku ka përqafuar të birin, që e ndjek në stadium në çdo ndeshje në shtëpi.

* Trashi doli nga fusha i dëmtuar, për momentin thuhet se rrezikon derbin me Tiranën.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"