“Thjesht duhej të luanim më mirë”, Pioli i qetë pas humbjes: Pres reagim të fortë ndaj Juventusit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2022 | 23:47

“Thjesht duhej të luanim më mirë”, Pioli i qetë pas humbjes: Pres reagim të fortë ndaj Juventusit

Milani është mundur në Londër përballë Çelsit në Ligën e Kampioneve dhe ka rihapur garën për kualifikimin në grup. Por për Stefano Piolin, kjo humbje nuk është vendimtare për skuadrën e tij, teksa ka theksuar se tashmë priste që ekipi të reagonte fort përballë Juventusit në kampionat e në ndeshjen e ardhshme ndaj bluve në Milano.

pioli

“Nuk ndikojnë mungesat. Thjesht duhej të bënim më mirë, Niveli i kundërshtarëve ishte i lartë dhe ne duhej të bënim më mirë. Pas 20 minutave të parë të mirë, nisëm të kërkonim disa lëvizje që nuk ekzistonin dhe kështu nuk ia dolëm të bënim atë që deshëm”, theksoi fillimisht trajneri i kuqezinjve në konferencën për shtyp pas sfidës.

“Tani nuk ka rëndësi renditja në grup, ne duam të përgjigjemi menjëherë në ndeshjen e radhës, duam të bëjmë pikë që në ndeshjen e radhës në Milano ndaj Çelsit dhe të mos lëmë gjithçka për dy ndeshjet e fundit.

Nuk mendoj se mungoi personaliteti. Nevojitet të luash mirë dhe sot nuk ia dolëm. Çelsi nuk bëri shumë presing, mund të mbanim më mirë topin, të hapeshim në fushë dhe të dominonim më shumë ndeshjen. Pastaj cilësitë e Çelsit i njohim të gjithë, por nuk ishte çështje cilësish. Thjesht duhej të luanim më mirë me topin.

Kjo humbje vjen nga një natë jo optimale. Kemi luajtur keq shumë herë topin, duke ia dhuruar shpesh kundërshtarëve. Kemi bërë pak përsa u përket atyre që janë cilësitë tona. Nuk është asgjë tjetër veç një ditë ku duhej të ishim më të kthjellët. Nuk ia dolëm, ata morën besim dhe luajtën më lirshmërisht.

Një humbje e rëndë duhet të na bëjë të nxjerrim menjëherë një reagim të fortë. Të dhemb, por duhet të na japë edhe më shumë vendosmëri dhe vëmendje në përgatitjen e ndeshjes me Juventusin. Unë zëvendësimet i bëra për të çlodhur ndonjë lojtar dhe për t’i dhënë minuta ndonjërit që është kthyer nga dëmtimet”, theksoi trajneri i Milanit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"