Thirrje për FSHF-në nga Kategoria e Parë, presidenti i Besëlidhjes: Nëse nuk fillojnë stërvitjet javën e ardhshme, atëherë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 12, 2020 | 23:12

Thirrje për FSHF-në nga Kategoria e Parë, presidenti i Besëlidhjes: Nëse nuk fillojnë stërvitjet javën e ardhshme, atëherë…

Vijimi i sezonit fut bollistik për të gjitha nivelet nuk e ka marrë ende dritën jeshile nga qeveria, që nuk po lejon stërvitjen në grup të skuadrave. U bënë më shumë se dy muaj nga ndërprerja e kampionatit dhe është vërtet një kohë shumë e gjatë. Besëlidhja, si të gjitha skuadrat e tjera, i ka lojtarët të shpërndarë, ndërsa në momentin e rinisjes së garës duhet të jetë më e përgatitur se ato, pasi luan fatin e Superiores.
gjok noka

NOKA – Presidenti Gjok Noka, në një prononcim për “Panorama Sport”, shpreh opinionin e tij për fundin e sezonit 2019-2020. “Ka mbi dy muaj që është ndërprerë kampionati për shkak të virusit që ka goditur gjithë botën dhe nuk po e marrim vesh se kur dhe se si do të rinisë gara. Kategoria e Parë u ndërpre kur pritej të niste faza e tretë, që është edhe më kryesorja, pasi përcakton fatin e skuadrave me pretendime. Përveç kampionatit, ne jemi në garë edhe në kupë, mes 8 skuadrave më të mira të Shqipërisë në këtë kompeticion. Pandemia që ndërpreu aktivitetin na ka goditur edhe psikologjikisht, por besoj se do ta kalojmë këtë situatë. Sa u përket vështirësive që janë krijuar gjatë këtyre dy muajve, mbështetja nga presidenti i federatës, z.Armad Duka, më shumë se financiarisht, është një mbështetje psikologjike për të gjithë ne. Besëlidhja ka mbajtur 4 futbollistët serbë në Lezhë dhe unë personalisht jam munduar t’i mbështes nga të gjitha pikëpamjet, sepse janë larg familjes së tyre. Besoj se janë të kënaqur, siç e kanë deklaruar edhe vetë në media”, thekson Noka fillimisht.
Gjok Noka

THIRRJA – Sa i përket moslejimit të stërvitjes në grup nga qeveria dhe ndeshjeve të mbetura, presidenti Noka shton: “Nëse stërvitja nuk nis në fillim të javës së ardhshme si skuadër, pra më 18 maj, atëherë kampionati të ndërpritet dhe të nisë në shtator. Nëse nis kampionati, kërkoj që gjithçka të zhvillohet sipas strukturës dhe rregullores në fuqi. Edhe për Kupën dua të njëjtën gjë, pra të mos cungohet, sepse penalizon shumë skuadra dhe favorizon disa të tjera padrejtësisht. Edhe nëse javën e ardhshme nis stërvitja, përsëri do të ketë probleme, pasi futbollistët nuk janë vetëm nga një qytet. Besëlidhja i ka lojtarët të shpërndarë në Shkodër, Tiranë e Laç, që janë zona të kuqe, ndaj nuk mund të udhëtojnë për në Lezhë për t’u bashkuar me ekipin. Kjo gjë duhet parë, në mënyrë që t’u jepet mundësia të gjithëve të stërviten në grup, në të kundërt nuk kemi gjë në vijë. Gjithsesi, nëse ndeshjet zhvillohen normalisht, jam i bindur se Besëlidhja e realizon objektivin e ngjitjes. Gjatë gjithë kësaj periudhe më ka shqetësuar gjendja shëndetësore e futbollistëve dhe stafit, por fatmirësish nuk kemi pasur probleme. Kjo është shumë e rëndësishme për mua”.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"