Thirrje për bashkim e sakrifica, 1 orë diskutime te Tirana. Halili shfryn ndaj ekipit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2019 | 13:00

Thirrje për bashkim e sakrifica, 1 orë diskutime te Tirana. Halili shfryn ndaj ekipit

Humbja e parë e bëri Ahmatajn të dorë zohej, por një vendim i presidentit bëri që dorëheqja të mos pranohej dhe trajneri të rikthehet në stërvitje. Mirëpo, e gjithë furtuna e pasdites së të shtunës u kalua jo pa mbledhje, diskutime, madje edhe me drejtim gishti e përgjegjësish. 

Tirana Ahmataj-Halili

“Panorama Sport” ka mësuar se dje, për rreth 60 minuta kreu i klubit kryeqytetas ka qenë përkrah trajnerit ku ka shpërndarë edhe përgje-gjësitë e secilit në ekip, duke bërë thirrje për vazhdimësi pozitive. Nuk ka munguar edhe fjala e senatorëve si Ilion Lika, por edhe trajneri Ahmataj ka thënë të tijën para ekipit.

 MBLEDHJA – Në orën 11:30, Tirana duhet të niste stërvitjen dje, mirëpo në ambientet e “Skënder Halilit” është paraqitur veç stafit teknik edhe presidenti Halili. Gazeta ka mësuar se mbledhja ka zgjatur rreth një orë, teksa thuajse të gjithë janë bërë pjesë e saj. Sigurisht, me fjalime në kontekste të ndryshme, por me synimin që nga kjo situatë të përfitojë Tirana dhe skuadra t’u rikthehet rezultateve pozitive.

Burime pranë klubit bënë me dije për gazetën se trajneri ka shprehur shenja pendese për çfarë kishte deklaruar pas ndeshjes në Korçë, thuajse njësoj si edhe ajo prapaktheu e bërë në televizion mbrëmjen e së dielës, por njëherësh edhe dëshirë për të vazhduar. Më tej, ka pasur vend edhe për analizë teknike mbi ato se çfarë nuk ka shkuar dhe çfarë duhet bërë më mirë nga secili në fushën e lojës.

 SENATORËT – Ka pasur vend për të folur shumë vetë, por një prej atyre që ka shprehur edhe zërin e unitetit, mësohet të ketë qenë Ilion Lika. Portieri ka kërkuar unitet dhe më shumë sakrifica në fushën e lojës. “Nuk mund të arrijmë asgjë secili më vete. Nuk shkon sepse jemi Tirana. Në fushë duhet të jemi të gjithë bashkë.

refik halili

Gjithkush që ndihmon tjetrin, e në këtë mënyrë ndihmojmë skuadrën”, mësohet të jetë shprehur ndër të tjera portieri. I gjithë konteksti i deklaratës së tij para ekipit mësohet të ketë qenë i tillë që bashkë me presidentin dhe trajnerin Ahmataj lojtarët e cilido tjetër në klub të punojë dhe japë më shumë nga vetja për të sjellë një ambient sa më harmonik.

KRITIKAT- Ai që ka vulën e fundit është presidenti dhe Halili dje mësohet të ketë qenë jo pak i rreptë me lojtarët. Numri një i klubit mësohet që ta ketë ndarë përgjegjësinë te të gjithë. Dy barazime dhe një humbje në 3 ndeshjet e fundit nuk janë ajo që pret Tirana e këtij sezoni, ndërtuar me shumë emra cilësorë dhe me eksperiencë të kampionatit shqiptar. “Përgjegjësi keni të gjithë, për çfarë bëni dhe nuk bëni gjatë ndeshjeve, apo në stërvitje.

Përgjegjësi ka secili edhe nëse nuk do t’ju shoh të bashkuar”, mësohet të jetë shprehur numri një i klubit. Mbledhja ka përfunduar pa vendime drastike, por gjithçka për t’i lënë mundësinë ekipit që të rikthehet te rezultatet pozitive ndaj Kukësit, në vigjilje të derbit. Në të kundërt, pse jo, mund të ketë edhe masa të mëtejshme. Në fund, të gjithë kokulur iu drejtuan fushës.

OLSI TUJANI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"