Thirrja e Maganit: Dua një Besë burrërore në Fier, Apolonia është disi e favorizuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2019 | 12:39

Thirrja e Maganit: Dua një Besë burrërore në Fier, Apolonia është disi e favorizuar

Humbja shokuese me Shënkollin në stadiumin e Peqinit ka sjellë një javë aspak të qetë stërvitore për Besën. Që në fillim të saj trajneri Gugash Magani u ndal me ekipin dhe bëri “skanerin” e secilit lojtar në atë takim. Jo më pak kritik ishte edhe presidenti Bizhdili mbi atë humbje.

Besa

Ditët stërvitore kanë qenë vërtet të ngarkuara për verdhezinjtë, të cilët sot i pret një transfertë mjaft e vështirë në Fier. Ndeshja me Apolonisë do të zhvillohet në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu” në një fushë me bar sintetik. Ky është një favor i vogël, sipas trajnerit Magani, për kundërshtarin.

“Sigurisht që Apolonia, duke u stërvitur përditë aty, e njeh terrenin dhe është disi e favorizuar, sepse ne jemi stërvitur në bar natyral. Por me këtë nuk dua të justifikohem, ne kemi bërë përgatitjet tona për ta përballuar këtë ndeshje si duhet’, thotë fillimisht trajneri peqinas i kavajasve. Më pas, Magani ndalet tek ajo çfarë pret nga të tijtë në këtë 90-minutësh. Ai thekson se Besa ka nevojë të reagojë dhe të tregojë se humbja me Shënkollin ishte thjesht një ditë e keqe.

gugash magani

“Vijmë nga ajo humbje e papritur me Shënkollin dhe jemi të ndërgjegjshëm se të gjithë presin reagimin tonë, autokritikën tonë. Apolonia është një ekip mjaft i fortë dhe një kundërshtar për t’u vlerësuar. Pres një ndeshje të luftuar dhe objektivi ynë është vetëm fitorja. Duam të reagojmë në mënyrën më të mirë. Apolonia ka lojtarë dhe trajner me përvojë, ndaj në këtë takim nuk do t’i përjashtoja të tria rezultatet. Kërkoj kujdes nga ekipi, sepse një gabim i vetëm të ndëshkon. Nëse nuk shfrytëzon rastet dhe nuk tregohesh pragmatist, e pëson. Në futboll nuk krijohen 20 raste ideale, por 3-4 raste. Shpresoj ta kemi fatin ne t’i shfrytëzojmë rastet. Nga Besa pres të zhvillojë një ndeshje të fortë, burrërore, të kujdesshme dhe pragmatiste. Uroj të mos shpërdorojmë pa fund, si në javët e kaluara. Shkojmë për fitore në Fier, verdiktin e jep fusha”, ka theksuar Magani.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"