Thirrja e Hajdarit: Futbolli na mban gjallë, të fillojmë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2020 | 15:30

Thirrja e Hajdarit: Futbolli na mban gjallë, të fillojmë!

Lezhjanët e kaluan me një stërvitje të zakonshme të mërkurën e kësaj jave duke mos zhvilluar miqësore si zakonisht. Sulmuesi shkodran i Besëlidhjes, Arsen Hajdari, në një prononcim për “Panorama Sport”, thekson se shtyrja e kampionatit është e ekzagjeruar dhe kjo u prish shumë punë futbollistëve profesionistë, të cilët mbajnë familjet me këtë punë.

arsen-hajdari

“Shtyrja e kampionatit kaq gjatë më shumë e ka dëmtuar se sa ndihmuar futbollin, pasi nëse sezoni do të luhet i plotë, ngjeshja do të bëhet e papërballueshme, duke prodhuar një futboll pa cilësi. Do të lërë pasoja afatgjata. Përveç shtyrjes së kampionatit nga bojkoti i Ligës Profesioniste, gjendja është tepër shqetësuese edhe nga pandemia e “COVID-19” ,që po agravon nga dita në ditë. Mund të çojë deri në ndërprerje të kampionatit ashtu si sezonin e shkuar.

Jemi i vetmi vend jo vetëm në Europë, por edhe ndoshta në gjithë globin, që ende nuk e kemi nisur futbollin në asnjë nivel. Shpresoj që sezoni të nisë sa më shpejt dhe të mos kemi pasoja nga pandemia, në të kundërt gjithçka do të rrokulliset. Nga futbolli profesionist varet dhe mbijetesa e shumë familjeve, pa përmendur rrënimin financiar të klubeve që financohen nga presidentët. Duke lënë pas këtë shqetësim që na ngacmon çdo ditë, dua t’i rikthehem gjendjes së Besëlidhjes aktuale. Ka rreth një muaj që skuadra është e gatshme për startin e kampionatit, duke qenë e kompletuar.

Në të gjitha miqësoret që kemi zhvilluar, kemi shfaqur trend pozitiv dhe kjo na kënaq të gjithëve. Shpresoj se edhe në sfidat zyrtare do të ruajmë dhe do ta ngremë më lart cilësinë, pasi kjo skuadër ka vetëm një objektiv, rikthimin në elitë. Na duhet të punojmë me përgjegjësi deri në fund të sezonit”, deklaroi sulmuesi shkodran i Besëlidhjes, 30-vjeçari Arsen Hajdari.

Preng GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"