Theu hundën, mbrojtësi i Flamurtarit rrezikon “divorcin” për një… maskë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2018 | 21:14

Theu hundën, mbrojtësi i Flamurtarit rrezikon “divorcin” për një… maskë (E PLOTË)

Kristian Sirgi rrezikon të mbyllë vitin. Përplasja nga Atsina në ndeshjen me Kastriotin, që u luajt në Vlorë, ka rezultuar fatale për rumunin, i cili me shumë mundësi do ta mbyllë këtë vit. Minimalisht, ai duhet që të qëndrojë jashtë fushave për 6 javë, por rrezikon edhe më shumë.

kristian sirgi

Në këto kushte, situata bëhet problematike për vetë lojtarin. Sirgi doli dje në stërvitje me ekipin dhe realizoi vetëm vrapime, por kjo nuk mjafton, pasi ai nuk është i gatshëm për fushën e lojës.

Nisja e stërvitjes nga rumuni nuk përbën asgjë për momentin. Sipas mjekëve specialistë, me kohë biologjike, çdo frakturë do 6 javë që të rehabilitohet. Burimet nga klubi vlonjat bënë me dije për “Panorama Sport” se Kristian Sirgi mund të bëjë stërvitje, por me maskë ai nuk e shikon topin. Nëse do të ulë kokën për të parë topin, ai nuk shikon më rreth e qark. Rumuni është një qendërmbrojtës dhe lëvizja në fushë me maskë vështirëson mjaft punën e tij në fushë. Maska kufizon marrjen e informacionit, thënë ndryshe shikimin me topin dhe lojtarin kundërshtar.

kristian sirgi1

Trajneri Daja me shumë mundësi nuk dëshiron që të rriskojë, aq më shumë kur Sirgi nuk ka pasur as ndonjë gjendje fizike të mirë, që do të thotë se edhe pa u dëmtuar, paraqitja e tij ka lënë për të dëshiruar. Duke qenë se shikimin e ka të kufizuar, ai e ka të lehtë për t’u stërvitur dhe për të marrë ngarkesa me vrapime të plota, por në përplasje me topin ka shqetësime. Lojtari u dëmtua në hundë. Menjëherë pas dëmtimit u transportua për në spital, ku u vu re spostimi i kockës së hundës. Pas një ndërhyrjeje të mjekëve ortopedë, koca shkoi në vend.

Në këtë drejtim nuk ka probleme, por çdo frakturë do kohën e vet biologjike, çka do të thotë 6 javë minimumi nuk duhet të hyjë në fushë, pasi vetëm pas 6 javësh fraktura krijon kallon. Kjo gjë e “djeg” lojtarin, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e “divorcit”, pasi gjatë kësaj kohe ka pasur probleme me përshtatjen, apo thënë ndryshe me paraqitjen.

NDJESA E ATSINËS

Çarls Atsina i ka kërkuar falje publikisht mbrojtësit Sirgi, duke u shprehur se ajo ndërhyrje ishte e paqëllimshme. Ndjesa erdhi pas ndeshjes me Kastriotin. “Sinqerisht, dua të kërkoj falje për atë çka ndodhi gjatë ndeshjes. Nuk ishte e qëllimshme, pasi të tilla gjëra ndodhin në futboll. Dua t’i kërkoj falje Klubit të Futbollit Flamurtari dhe veçanërisht futbollistit Kristian Sirgi. Të uroj shërim të shpejtë dhe të rikthehesh sa më parë, vëlla. Me dashuri Çarls Atsina”, shkruhej në postimin e futbollistit.

ERMAL SIKA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"