Themelimet e mëdha të sportit shqiptar në 100 vjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2012 | 10:47

Themelimet e mëdha të sportit shqiptar në 100 vjet

Nga BESNIK DIZDARI
Asnjëherë deri më sot në ushtrimin e profesionit tim të gazetarit, që ka hyrë në dhjetëvjetëshin e gjashtë të ushtrimit, nuk ia kisha arritur që në një shkrim të vetëm të përmbledh themelimet e mëdha historike të sportit shqiptar. Sepse është tejet e vështirë që brenda hapësirës së dhënë të përshkohesh në 100 vjetët e Shqipërisë sportive. Të paktën për mua, ky është një shkrim që sa herë t’i kthehesh, diçka do t’i shtosh dhe diçka do të përmirësosh. Kështu po veproj edhe në këtë botim në “Panorama Sport” me këtë shkrim që, profesionalisht për mua, përbën diçka po simbolike si i herës së parë. E plotësova, e shtova, e lëmova. Tash më duket tejet më i plotë, madje tjetër, gjithnjë brenda temës po simbolike siç dhe e kam mbititulluar: “Shkrimi i 100 vjetëve të Shqipërisë sportive!”.

Fotogaleria e momenteve pikante te 100 viteve sport shqiptar
[portfolio_slideshow]

1. Ngjarjet themeluese
Në këtë shekull katër janë themelimet e mëdha sportive të Shqipërisë, prej ku merr rrugë ecuria e derisotme e sportit shqiptar:
I pari është sporti i çiklizmit.
E kam provuar qysh më 1991 me fjalën e mbajtur në Kongresin e Federatës Botërore të Çiklizmit në Shtutgart të Gjermanisë se ky rreth i parë çiklistik i Shqipërisë është i pari për amatorët në Europë. Ka qenë 1925. Shkodër, Durrës, Fier, Tepelenë, Gjirokastër, Leskovik, Korçë, Pogradec, Elbasan, Tiranë – një itinerar më se heroik për kohën, kur mendon urat dhe mungesën e tyre, rrugët e paasfaltuara, gjendja e përgjithshme tejet e rëndë e një Shqipërie që guxonte të rilindte edhe përmes sportit. Fituesi dihet: Jonuz Gjylbegu.
Themelimi i dytë është Kampionati i 1-rë Kombëtar i Atletikës së lehtë. Një ngjarje e jashtëzakonshme, që ka ndodhur më 2 shtator 1929. Gjithçka është pasojë e themelimit zyrtar të atij organizimi edhe sportiv që do të quhej Enti Kombëtar “Djelmnia Shqiptare”. Ideja e tij është kjo: “Me marrë kulturë fizike, morale e atdhetare, si dhe përgatitje paraushtarake”. Është viti kur për herë të parë në Shqipëri vendoset ai që quhet Inspektori i Kulturës Fizike, i cili emërohet në të gjitha prefekturat. Më 20 gusht 1929, Enti Kombëtar nis shpalljen e organizimit të kampionateve kombëtare. Drejtori i Entit, zotni De Marchis, i cili do të luajë role të dorës së parë në organizimin e kampionateve tona kombëtare të viteve ’30, njofton ndërkaq se:
“Kemi nderin t’ju njoftojmë se simbas urdhënit të N.M. së Tij Mbretit të Shqipëtarëve Zog I, me dekret, më 2, 3, 4, 5, 6 shtator të këtij viti kanë me u zhvillue këtu në Tiranë, nën ditët e naltshenjueme, të parat Gara të Kampjonateve t’Atletikës së lehtë, t’organizueme nga kjo degë, gara në fjalë kanë me u zhvillue në fushën e Shallvares”.
Dhe një pllakat i posaçëm që i kushtohet kampionatit. Ky duhet të jetë pllakati i parë sportiv në historinë e Shqipërisë. Kështu shkohet te 2 shtatori 1929, te ngjarja e madhe e këtij viti sportiv fatthënë që personifikohej me fillimin e një Kampionati të Parë Kombëtar të Atletikës nën patronazhin e naltë të Princeshës Myzejen. Njeriu që merret personalisht është mû ministri i Arsimit, Hil Mosi. Kampionati i parë Kombëtar i Atletikës së Lehtë do të ishte një kampionat i vërtetë atletik, i cili bazën e tij e kishte mû në shkollë. Ai do të shpallte për herë të parë Kampionët e Shqipërisë në 100, 200, 400, 800, 1500, 5000 dhe 8000 metra; Kampionët në 110 metra me pengesa; Kampionët në kërcim së larti, së gjati, trehapësh, shkop; Kampionët në gjyle, disk, shtizë, çekiçin e kohës (topi me dorezë); Kampionët në stafetat 4×100 dhe 4×400; Kampionët në pesëgarësh e dhjetëgarësh. Emrat e këtyre kampionëve të parë të vitit 1929 janë:
Dr. Naim VRETO / Tirana, Llazar MIHA / Tirana, Simon TODOSHI / Korça, Jorgji KOJA / Tirana, Dr. Isuf DASHI / Tirana, Prof. Peter ANDONI / Elbasani, Irfan GJINALI / Tirana, Ymer SHARRA / Vlora, Zeqir SULEJMANI / Shkodra, Prof. Behxhet JOLLDASHI / Elbasani. Kampion si ekip: TIRANA.
Dhe mbërrin viti 1930. Njoftimi i parë që gjejmë është ky:
“Për prendverën që do të vijë, Drejtorija e P. e Entit ka organizue një kampionat kombëtar të foot-ballit tue dhanë porositë ndër të gjitha degët e Prefekturave që të fillohet pregatitja e skuadrave foot-baliste qysh tash, për mënyrë që kampjonati të jetë i denjë të dalë e të na përfaqësojë dhe jashtë në vende të huaja”.
Dhe… “CHAMPIONATI KOMBETAR – 6 PRILL”, siç njofton në këtë drejtshkrim dhe me bujë shtypi. Dhe më 31 mars, mbrenda në Tiranë, përurohet fusha e re e Shallvares me ndeshjen miqësore Urani i Elbasanit-SK Tirana 1-0! Historia kishte nisur tashmà…
Rexhep Jella, Mihal Sherko, Ali Erebara, Oresto Morra, Giandomenico De Marchis është pesëshja e Komisionit të Kampionateve, siç quhet kjo Federatë e sapongritur. Kampionati ka filluar në orën 15:30 të 6 prillit 1930 me pjesëmarrjen e 6 skuadrave: SK Tirana, Skënderbeu i Korçës, Bashkimi Shkodran, Teuta e Durrësit, Urani i Elbasanit dhe Vlora…
Ai ishte një Kampionat i Parë, që ka një rregullore të shkëlqyeshme dhe që është zhvilluar nga 6 prilli deri te 6 korriku 1930. Gradualisht kampionati kishte veçuar tashmë tre rivalë: SK Tirana, Skënderbeu, Bashkimi Shkodran. Triumfon Sportklub Tirana. Në Shqipëri kishte lindur Kampionati i Futbollit! Dhe: Gurashi, Shehri – Gjinali, Kashari, Kajano – Sabati, Miha, M. Gurashi, B.Jolldashi, Ndroqi – Dashi, Stërmasi, Karapici, Kusi, Begolli, Kosova, Hajnali, Maçi. Këta ishin kampionët e parë të Shqipërisë. Do të fitonin edhe 5 kampionate të tjerë të viteve ’30.
Më 20 korrik 1930, “n’orën 10.30 skuadra “Sport klub Tirana” u paraqit para Naltmadhnisë së tij Mbretit, në Banjat, e përcjellur prej zotnis së tij De Marchis, prej këshillit të shoqërisë e prej lojtarëve të Tiranës”,- shkruan shtypi i kohës.
Ceremonia madhështore bëhet në Durrës, e përcjellë prej bandës së qytetit. Gjeneral Leon de Gjilard, Komandant i Përgjithshëm i Milicisë por, në këtë rast, me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Sportit ia paraqet skuadrën kampione Mbretit Zog i shoqëruar prej Princeshës Myzejen. Mbas tij e merr fjalën vetë Mbreti Zog. Fjala e tij përshëndetëse është unikale për historinë ceremoniale të sportit shqiptar e fiksuar në këtë korrik të vitit 1930, vetëm 18 vjet mbas Pavarësisë. Thotë Mbreti Zog:
“Tani due me ju porositë tre sende qi janë tre parime që dëshroj t’ju rekomandoj. E para: të ndjekni zhvillimin e plotë të dashtnisë për Atdhe. E dyta: zhvillimin me zemër të kulluet e pa asnjë djallëzi të vllaznimit të plotë midis Djelmnisë dhe zhvillimin e bashkimit kombëtar. E treta: Disiplinë. Duhet të dini se pa disiplinë nuk mërrihet në asnjë sukses. Po s’pati disiplinë në mes, çdo gjë humbet vleftën e vet. Djalëria po s’dha shëmbëllen e disiplinës, përpjekjet që bën janë nul. Kini për udhëheqës këto tre këshilla e duke iu mbështetun këtyre parimeve, ecni përpara, ju që jeni shpresa e të arthmes. E arthmja e kombit asht sigurue e pra e arthmeja e juej asht e sigurtë. Shpresoj se do të vazhdojë edhe pas këndej suksesi qi kini fitue dhe uroj të përparoni edhe ma”.
Kur mbërrin viti 1931 Mbretëria Shqiptare organizon Kampionatin e Parë Kombëtar të Notit. E organizon në ujërat e portit të Durrësit. Nuk kishte mundësi të tjera asokohe. Rëndësi ka që e themeloi. Ngjarja e re daton më 23 gusht 1931. Kjo është data e themelimit të Kampionatit Kombëtar të Notit në Shqipëri. Shtypi i kohës njofton:
“Të dielën, 23 gusht, ora 5 e mbrëmbjes u zhvillua në molon e Durrësit, Kampionati Kombëtar i Notit me një sukses fare të shkëlqyer, para një shumice të madhe populli midis të cilëve shquheshin Princërit e N. e tyre Hysen e Esad që ndanë çmimet në fituesit”.
Është një kampionat që zhvillohet brenda një mbasditeje të vetme, por është një themelim. Ia kemi arritur të zbulojmë kampionët e parë të Shqipërisë në këtë sport, tre nga katër prej të cilëve janë të Teutës së Durrësit: Taq Dafa, Nikolla Jukano, Spiro Goga dhe Todi Dhami i Dragojt të Pogradecit. Mbretëria shqiptare organizoi me një ndalesë të vetme (1935) 7 kampionate kombëtare të notit: 1931, 1932, 1933, 1934, 1936, 1937, 1938, të fituara të gjitha nga Teuta e Durrësit.
Noti shqiptar i asaj kohe themeluese, do të kishte një kulm të tij në vitin 1938. Është 10-vjetori i Mbretërisë që përcillet me festime të mëdha ku, për çudi, sporti është ndër vendet e para. Është viti i Kampionatit të 7-të Kombëtar të Notit ku doemos Durrësi shndërrohet në epiqendër.
“Ka për të mbetë e paharruar dita e shënuar në vendin e nderit t’analeve t’ona sportive dita 31 gusht 1938. N.MN.T. ZOG I Mbreti i Shqiptarëve nderoj me prezencën e Tij Auguste Notin kombëtar dyke treguar një interes të gjallë të zhvillimit të VII Kampionat Kombëtar të Notit”.
Kronika prej ku janë marrë rreshtat e mësipërm na thotë se në orën 16:00 shfaqet në tribunë Mbreti nën thirrjet “Roftë Mbreti”. Ai përshëndet dhe ulet në tribunë. Në të djathtë ka patroneshën e lartë të Sportit, N.S. Mbretërore, Princeshën Myzejen dhe në të majtë me radhë Princeshat Dane dhe Tere, NN.TT. Princi Salih, Princ Tati, kryeadjutanti Zef Serreqi, ministrat Abdurrahaman Dibra dhe Musa Juka. Mandej çasti i himnit kombëtar.
Kjo është historia e ceremonisë zyrtare me praninë e Mbretit Zog, në atë 31 gusht 1938, kur edhe me themelimet sportive, Shqipëria synonte ecurinë europiane, pjesë e së cilës ishte edhe ky Kampionat i 7-të Kombëtar i Notit.
2. Protagonistë themelues…

Po mendoja ndërkaq se cilat mund të ishin fotot që mund të përzgjidhja prej arkivit tim për të shoqëruar një shkrim kësisoji. U lodha disi dhe më në fund, si pa dashtë, qëndrova te shifra “16”. 16 foto. 16 simbole. 16 ngjarje! Maja në sportin shqiptar të 100 vjetëve. Fillimi ishte doemos për atë që ndoshta na duhet ta quajmë foton më antike të sportit modern shqiptar. Eshtë fotoja e ndeshjes së parë, si të thuash zyrtare, e futbollit në Shqipëri, asaj të 1913-ës. Dhe radhazi:
Fotoja e Kampionit të Botës në mundje të lirë profesioniste, Petro Sturgji, e vitit 1923; foto nga Rrethi i 1-rë Çiklistik i Shqipërisë më 1925; foto e Sportklub Tiranës – Kampionia e parë e Shqipërisë në futboll më 1930; fotoja e Kombëtares së atletikës në Kampionatin Ballkanik të Zagrebit më 1934; fotoja e futbollistit Riza Lushta; fotoja e Shqipërisë Kampione e Ballkanit në futboll më 1946; fotoja e Ymer Pampurit – olimpisti i parë i Shqipërisë i një rekordi olimpik; fotoja e Elizabeta Karabollit – Kampionia e parë shqiptare e Europës; fotoja e Shaban Trstenës – Kampioni i parë Olimpik i kombësisë shqiptare; fotoja e atletes Pavlino Evro si fituesja e parë dhe e vetme e Shqipërisë në një Meeting Ndërkombëtar, Nice 1984; fotoja e volejbollit e Dinamos për femra – skuadra e parë dhe e vetme shqiptare – fituese e medaljes së bronztë në Kupën e Kampioneve të Europës, Bari 1991; fotoja e Pirro Dhimës – Kampioni i parë Olimpik prodhim i sportit të Shqipërisë; fotoja e Mirela Manjanit – rekordmene dhe Kampione e Botës në hedhjen e shtizës, Kampione e Europës, përveçse Nënkampione Olimpike (edhe pse nën fanellën e Greqisë): fotoja e boksierit Kreshnik Qato – i pari dhe i vetmi Kampion i Botës nga Shqipëria në boksin profesionist në versionin WBF (World Boxing Federation); fotoja e Elis Gurit – Kampion i Botës në mundjen klasike (nën Bullgarinë). Dhe gjithçka m’u duk me një kuptim simbolizues. Sepse me gjithë modestinë e zhvillimit të tij në këto 100 vjet, sporti shqiptar prapëseprapë ka ecur, është zhvilluar, madje ka arritur edhe lartësi botërore.
Tash, nëse u kthehesh më në hollësi fotove të përzgjedhura, vërejmë se fotoja e parë na kujton se skuadra e parë sportive shqiptare që njihet për një takim sportiv zyrtar është kjo e vitit 1913. Skuadra ka emrin kuptimplotë “Indipendenca” (“Pavarësia”), me protagonist Palok Nikën, themeluar në Shkodër, vetëm nja 10 muaj mbas Pavarësisë së Shqipërisë, pra andej kah gushti 1913 dhe nën përkujdesjen austro-hungareze ajo del në fushën e lojës dhe zhvillon një ndeshje me një formacion të trupave austro-hungareze që ishin në Shkodër. Ky është takimi i parë sportiv themelues zyrtar në Shqipëri. Prej këtu mund të themi se merr udhë historia e qindvjetëshit të fundit të sportit shqiptar. Si individ, meqë gjithçka e madhe nis me te, e që për fatin e keq po harrohet gjithnjë e më shumë, po i kushtoj diçka më tepër vend Peter Sturgjit (Peter Strugio në njohjen amerikane) nga Korça, i lindur më 1894. Ai emigron qysh 16 vjeç në SHBA ku nis jetën e vështirë të punëtorit të krahut në qytetet Klivelend dhe Uollcester. Ka një fizik të mrekullueshëm dhe te sporti sheh e gjen mbështetjen e vet, teksa paraqitet radhazi në qytete të ndryshme të SHBAsë si një kampion i ardhshëm. Boston, San Francisko, Masaçuset, Nju Jork, Miçigan…
Eshtë 1922. Petro Sturgji është tashma mundësi profesionist i peshës së mesme të disiplinës së lirë. Përpara ka kundërshtarin e dëgjuar finlandez U.Kitonen. Petro Sturgjit iu deshën 55 minuta për t’ia arritur që shpatullat e Kitonenit të gozhdoheshin në tapet! Por duhej edhe ndeshja e dytë. Kësaj radhe korçarit të madh iu deshën vetëm 35 minuta për ta gozhduar përsëri atë në tapet. Ky është çasti kur historia ka fiksuar këto radhë të çmueshme të gazetës “Dielli” të Federatës Panshqiptare të Amerikës, “Vatra”, të 13 marsit 1923:
“Peter Strugio, mundës i dëgjuar shqiptar, është që më tre të vjeshtës së parë mundës kampion i klasit të mesëm në tërë Amerikën… Në Labor Day që shkoi, Strugio mundi U.Kitonenin, mundës i famshëm prej Finlande, i cili mbante prej disa vjetësh titullin e kampionit… Duke fituar kampionësinë e klasit të mesëm, Strugio bën një fitim që asnjë mundës prej vëndeve të Ballkanit nuk ka mundur ta bëjë gjer tani. Kiloni, më i dëgjuari nga mundësit grekë të këtij klasi, ka mundur ta mbajë këte titull vetëm pak javë duke e humbur përsëri me Kitonenin”.
Petro Sturgji e synon dhe e arrin titullin e Kampionit të Botës mbasi fiton duelin historik me Kampionin Botëror të peshës së mesme l.Sharpi. Duhet të ketë qenë viti 1923 ose 1924. Fotoja e Peter Sturgjit që shoqëron shkrimin tonë të sotëm i vë vulën vërtetësisë së titullit. Dhe është thënë dhe shkruar se e ka ushtruar sportin e tij, që i kishte dhënë titullin e madh, në gara zyrtare deri në moshën 48 vjeç, çka do të thotë gati 30 vjet pa ndërprerje, dhe se ka zhvilluar 1000 ndeshje, shifër që megjithatë duket e pabesueshme.
Befasia e fundit e Petro Sturgjit është riatdhesimi i tij më 1961, një pranim vërtet i rrallë prej regjimit. Vendoset në qytetin e Elbasanit, ku jetonte e bija me familjen e saj. Petro Sturgji ndahet nga jeta më 1972 në moshën 78- vjeçare dhe gjithnjë e më i harruar, ndonëse kishte qenë Kampioni i parë i Botës i formuar dhe rritur prej shkollës sportive amerikane, po në fund të fundit ai ishte një Kampion i Botës nga Shqipëria.
Kështu, mbas një fillimi disi të qetë, të pabujshëm, sporti shqiptar duhej të priste vitet ’20, për të nisur një rritje tashma të pandalshme. Dhe më 1925 Shoqëria Vllaznia organizon Rrethin e 1-rë Çiklistik të Shqipërisë dhe kjo është ngjarja më e madhe e parë në rang kombëtar e sportit të Shqipërisë së Pavarur. Kështu dalim te Fotoja që pasqyron një çast nga Rrethi i 1-rë Çiklistik i Shqipërisë së vitit 1925 në nisjen e etapës nga qyteti i Elbasanit, veprimtari që përbën vetvetiu kampionatin e parë sportiv në Shqipëri. Duke kaluar te fotoja e atletëve, aty janë sportistët e parë në historinë e Shqipërisë, të cilët veshin fanellën e parë të një Kombëtareje sportive shqiptare, me ngjyrat kuqezi të flamurit kombëtar që ka mbetur sot e kësaj dite. Këta atletë, fotografuar në Kampionatin Ballkanik të atletikës së lehtë në Zagreb më 1934, janë themeluesit e Kombëtares së parë sportive në Shqipëri. Fotoja tjetër paraqet Kampionen e parë kombëtare që është Sportklub Tirana – kampione e vitit 1930, në sportin që do të bëhej më i përhapuri edhe në Shqipëri: futbolli. Vetvetiu ajo është një foto e lidhur me foton tjetër, këtë të futbollistit Riza Lushta, i cili në kapërcyell të viteve `30 dhe ’40, mbasi shpallet katër herë Kampion i Shqipërisë me Sportklub Tiranën, fiton Kupën e Italisë (1942) me Juventusin e Torinos dhe bëhet sportisti i parë – prodhim i shqiptar, i cili shfaqet në nivelin më të lartë të arenës sportive europiane, teksa është një prej më të mirëve të kampionatit të Kampiones së Botës asokohe në fuqi, Italisë. Ndërkaq, fotoja tjetër paraqet Kombëtaren e Shqipërisë në futboll, atë të vitit 1946, e cila në mënyrën më sensacionale shpallet Kampione e Ballkanit. Prej këtu na duhet të shkojmë te një foto e shumë viteve më vonë, 1972, kur duke marrë pjesë për herë të parë në Lojërat Olimpike, peshëngritësi Ymer Pampuri thyen rekordin olimpik dhe shpallet Kampion i Botës (brenda turneut olimpik të Lojërave të Mynihut zhvillohej njëkohësisht edhe Kampionati Botëror). Do të vijmë te viti 1979, kur qitësja shqiptare e pistoletës Elizabeta Karabolli bëhet Kampionia e parë e Europës për Shqipërinë.
Duhej të kalonin plot pesë vjet, 1984, që një shqiptar i Maqedonisë të bëhej Kampioni i parë Olimpik me kombësi shqiptare, ndonëse nën flamurin e Jugosllavisë. Eshtë Shaban Trstena (mundje e lirë), Shabani i fotos sonë.
Dhe mu në këtë vit, 1984, vrapuesja shqiptare Pavlina Evro fiton medaljen e artë në Meeting-un Ndërkombëtar (Botëror) në Nice të Francës në 1500 metra me rezultatin e rangut botëror 4.06.2, duke mbetur sot e kësaj dite e vetmja atlete e Shqipërisë në këtë arritje për ne fenomenale! Dhe po fenomenale na duket sidomos sot ajo që ngjet në fundoret (finalet) e Kupës së Kampioneve të Europës në volejboll për femra, kur Dinamo siguron vendimtaret e Barit në Itali ku fiton medaljen e bronztë (e treta).
20 muaj më vonë do të shfaqet Pirro Dhima me sensacionin e tij mbarëbotëror kur më 1992 në Lojërat Olimpike të Barcelonës bëhet Kampioni i parë Olimpik i lindur, i formuar prej shkollës sportive të Shqipërisë, ndonëse përfaqëson Greqinë. Vetëm pak muaj më parë kishte qenë ndër më të mirët e Europës nën fanellën shqiptare, çast kur Federata Europiane e Peshëngritjes i jep dhe titullin “Mjeshtër i Europës”. Nën Shqipërinë pra!
Mandej vjen fotoja e atletes Mirela Manjani, e cila ka fituar gjithçka, gjithashtu nën fanellën e Greqisë, por është e gjitha lindje, formim i sportit të Shqipërisë, madje Kampione e Ballkanit dhe Nënkampione e Europës (për të reja) nën fanellën shqiptare. Ndërkaq, më 2008, Kreshnik Qato i Durrësit bëhet boksieri i parë në historinë e Shqipërisë që merr titullin botëror në boksin profesionist për versionin WBF (World Boxing Federation) me rezultate të rralla deri më sot: 36 ndeshje, 28 fitore!
Mbërrijmë te fotoja e fundit: është kjo e Kampionit të Botës në mundjen klasike, Elis Guri, gjithashtu nën fanellën e një kombi tjetër, Bullgarisë, kur vetëm një vit më parë kishte qenë medalist i bronztë i Europës nën fanellën e Shqipërisë!
Këta ishin 16 protagonistët themelues në sportin e kombit shqiptar në këto 100 vjet. Kur pikërisht kombi më lejon të dal jashtë kufijve të Shqipërisë së Londrës 1913, që la jashtë gjysmën e tokave shqiptare. Për çudi jo pak, edhe fati sportiv i Shqipërisë është tejet i ngjashëm me fatin e tokave shqiptare…
3. Olimpistët themelues…

76 vjet më parë, themeluesi i gazetarisë sonë sportive, Anton Mazreku, ka shkruar editorialin e tij historik botuar më 3 tetor 1936. Mazreku është i pari dhe i vetmi gazetar shqiptar si i dërguar i posaçëm (special) në një Olimpiadë. Nuk dua ta komentoj mendimin e lartë të Mazrekut. Dua të citoj edhe këtu vetëm këto radhë të editorialit të tij historik:
“…Kur flamujt e të pesë kontinenteve tundeshin në erë të gëzuar e faqebardhë afër njëri-tjetrit, atmosfera e evenimentit të pashoq m’i lagu mollëzat e faqeve me dy pika lot. Dy pika e jo më tepër, po të mjafta për të tërhequr vërejtjen e një biondeje të ndodhur rastësisht pranë meje. Gjermania e tëra bionde: bionde në leshrat, bionde në sytë, bionde në mveshje, bionde dhe në zë po të duash, nuk ndenji dot pa më pyetur: “Warum weinen Sie? (Pse qani?)”. Nuk mori përgjigjen e vërtetë. Po e merr sot: “Nuk jemi duke u përgatitur si duhet në fushën sportive”.
Ishte 1936. Ishin çastet e ceremonisë së Olimpiadës së Berlinit 1936. Anton Mazreku e ka titulluar editorialin e tij “Mësimi i mosvalëvitjes së flamurit tonë në Olympiadën e Berlinit”. E vërteta është se Shqipëria ende nuk ka fituar asnjë medalje olimpike. Nuk fitoi as në këtë vit 2012 në Olimpiadën e Londrës, kur emocionet bënë punën e tyre edhe me mëtueset Majlinda Këlmendi dhe Romela Begaj. Ndonëse toka shqiptare ka një puls sportiv olimpik, madje qysh në lashtësi.
Në Olimpiadën e 66-të, në vitin 516 para erës së re, qytetari Kleosten nga Epidamni ka fituar të artën në garën me kuadriga (karrocë me 4 kuaj). Ai është kampion edhe në pesëgarësh së bashku me Milonin e Krotonës, Timasitheon e Delfit e Tskyrosin e Himarës. Në Olimpiadën e 70-të, në vitin 500 para erës së re, Meneptolemi i Apolonisë është kampion historik në garat e fëmijëve. Ndërsa në Olimpiadën e 77- të të vitit 472, Aigiasi i Epidamnit është kampion olimpik në garën e vrapimit me armatim. Eshtë spektakolare fitorja e titullit olimpik në Olimpiadën e 109-të në vitin 344 nga iliri Arybasi, sepse arrihet në një garë që të bën nder të madh sportiv: pesëgarëshin. Mbi 200 vjet më vonë, më 123 para erës sonë, në Olimpiadën e 161-të një tjetër ilir, Antipatri, i bën historisë sonë një nder edhe më të madh kur fiton në vrapim. Kështu hyjmë në olimpiadat e sotme moderne, të këtij 100-vjeçari, teksa rendis këta medalistë të Olimpiadave që i përkasin kombësisë shqiptare: Shaban Sejdiu, Shaban Trstena, Azis Salihu, Pirro Dhima, Luan Shabani, Leonidha Goga, Agim Xhelili, Viktor Mitru, Luan Krasniqi, Mirela Manjani.
Të gjithë këta shqiptarë kanë fituar medalje olimpike të arta, të argjendta ose të bronzta. Me përjashtim të Krasniqit, të gjithë i përkasin tokës sportive shqiptare dhe si nisje apo si themelim ata kanë lindur, janë rritur e formuar si sportistë të klasit më të lartë olimpik prej trajnerëve shqiptarë! Kombi shqiptar i ka kështu medalistët e tij olimpikë, ndonëse juridikisht ata u takojnë shteteve të tjera. Revista më e madhe sportive e botës, “Sport Illustraed” e SHBA-së, na ka lënë këtë përcaktim për më të madhin, 3 herë kampionin olimpik Pirro Dhima, duke e quajtur “Luani i Himarës”. Sot ai konsiderohet një nga legjendat sportive të sportit olimpik mbarëbotëror. Eshtë prodhim dhe formim i sportit shqiptar! A ishte ky shkrim i herës së parë për nga lloji, një lloj bilanci i 100 vjetëve të zhvillimit sportiv shqiptar? Them se po. Ose më qartë: këto kulme përmes të cilëve ne u përshkuam këtu, janë kulmet e një lloj piramide sportive shqiptare “sui generis”, që ende nuk e ka thënë plotësisht fjalën e saj. Them “sui generis”, se një pjesë e këtyre themelimeve apo simboleve themeluese, protagonistëve apo ngjarjeve të historisë së sportit shqiptar të herës së parë, kanë ndodhur apo janë shfaqur nën flamuj të shteteve të tjerë. Ndonëse në thelb, ata kanë folur shqip. E pra, i përkasin edhe historisë së kombit shqiptar. Nuk ka diçka për t’u çuditur dhe aq fort megjithatë: historia na tregon se shqiptarët kanë fituar kushedi sa “tituj” botërorë në art e politikë, në shkencë e kulturë, dhe ndërsa janë krenuar me shqiptarësinë e tyre, jo të gjithë “titujt” e tyre botërorë apo brezat e artë të Kampionit të Botës apo të Olimpiadës i kanë takuar gjithmonë Shqipërisë. Por, në fund të fundit, shumica kanë lindur dhe janë formuar si sportistë po në Shqipëri, çka do të thotë se si përzgjedhje, formim e madje dhe lëmim apo përpunim të artit të tyre sportiv, ata i përkasin shkollës sportive shqiptare sado modeste që të jetë ajo…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"