Teuta zbret në fushë, pritet një goditje në sulm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2016 | 10:31

Teuta zbret në fushë, pritet një goditje në sulm

Sot pasdite, skuadra durrsake do të vihet nën urdhrat e trajnerit Ahmataj. Së bashku me grupin, në fushë do të zbresë dhe afrimi më i ri, shkodrani Borshi. Ish-lojtari i Tërbunit do të firmosë kontratën dhe, më pas, do t’i bashkohet grupit për të zhvilluar stërvitjen me lojtarët e tjerë. Sot pritet të ketë dhe emra sa u përket afrimeve, gjithashtu do të ketë dhe rinovime të disa lojtarëve që u kanë mbaruar kontratat.

teuta stervitje

Drejtuesit e skuadrës do të ruajnë edhe një pjesë të madhe të grupit të futbollistëve që në sezonin e shkuar kanë qenë titullarë të ekipit durrsak. Hodo, Rizvani, Kotobelli, Lena, Moçka dhe Erand Hoxha janë lojtarët që presin rikonfirmimin për sezonin e ardhshëm me Teutën. I vetmi rinovim i kryer deri tani është ai i Rustem Hoxhës, i cili e ka zgjatur kontratën dhe për sezonin e ardhshëm. Pjesa tjetër e lojtarëve do të zhvillojnë bisedimet me drejtuesit e klubit për të vendosur nëse do të luajnë përsëri për Teutën.

teuta bernardo

Nga ana tjetër, të blinduar janë lojtarët e rinj dhe ata që u afruan një vit më parë, ku sulmuesit Lamçja dhe Magani janë nën kontratë. Gjithashtu, mesfushorët Hila, Musta dhe durrsaku Çyrbja kanë kontrata afatgjata. E njëjta gjë edhe në mbrojtje me Rustem Hoxhën, Shkallën apo dhe Shehin, të cilët shihen si e ardhmja e ekipit të Teutës. Bërthama e ekipit është pothuajse e njëjta me atë të sezonit të shkuar dhe prurjet e reja do ta forcojnë ekipin duke rritur konkurrencën.

Teuta - Kairat ne takimin e pare (0-1)

Jo vetëm kaq, por edhe do të shtojnë cilësinë dhe freskinë në përbërje të organikës që Ahmataj do të ketë këtë edicion. Të tillë janë edhe dy lojtarët, të cilët janë bashkuar më parë me “djemtë e detit”, Raboshta dhe Ismajli. Megjithatë, nuk do të jenë vetëm këto afrimet nga drejtuesit e klubit, pasi priten edhe 2 apo 3 elemente cilësorë për të krijuar një skuadër konkurruese për sezonin e ardhshëm.

Jeton Rexhmati

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"