Teuta zbret në fushë, klubi vendos për minifazë në Durrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2019 | 12:48

Teuta zbret në fushë, klubi vendos për minifazë në Durrës

Vetëm dy ditë pushim pas fitores me Flamurtarin dhe menjëherë në fushë. Teuta nuk humbet kohë, por u rikthehet përgatitjeve nën drejtimin e trajnerit Edi Martini dhe stafit të tij, që përbëhet nga zv.trajneri Gentjan Begeja, përgatitësi i portierëve, Alfred Osmani dhe përgatitësi atletik Eduard Salillari. Në stërvitjen e parë pas ndërprerjes së kampionatit, “djemtë e detit” kishin disa mungesa të justifikuara. 

Teuta festa e golit (1)

Portieri Bobi Celeski, mbrojtësit Bllagoja Todorovski dhe Aleksandër Kuro, si dhe mesfushori Florent Avdyli, kanë marrë leje nga klubi për të qenë edhe disa ditë pranë familjeve të tyre. Teuta do të vazhdojë stërvitjen për të shfrytëzuar pauzën për rikuperimin e lojtarëve. Ndeshja e parë zyrtare, që mbyll edhe fazën e dytë, do të luhet më 22 janar ndaj Laçit në “Niko Dovana”.

teuta

Durrsakët kanë kohën e nevojshme për të përgatitur këtë takim, ndërsa këtë periudhë pritet që ekipi t’i kushtojë më tepër rëndësi anës fizike, pasi edhe ditët e pushimit prej festave mund të ndikojnë negativisht te lojtarët. Stërvitja e djeshme filloi me një nxehje të lehtë, ku përgatitësi atletik, Salillari, vazhdoi punën me disa ushtrime fizike. Seanca vijoi me ushtrime aerobike, teksa lojtarët vazhduan me punën me top dhe me anën taktike. Në fund, ata zhvilluan edhe një lojë mes tyre.

AXHENDA

Deri më 28 dhjetor do të vazhdohet me dy seanca në ditë. Pas kësaj date, stafi teknik ka vendosur që futbollistët të qëndrojnë pushim deri më 3 janar. Ashtu si një sezon më parë, edhe këtë janar Teuta do ta zhvillojë fazën përgatitore në qytetin e Durrësit. Martini pritet ta ketë të gjithë grupin të plotë, përveç mesfushorit Çyrbja, i cili prej dëmtimit që pësoi javën e kaluar, vijon fazën e rikuperimit.

teuta

MERKATO 

Drejtuesit e Teutës pritet të plotësojnë të gjitha kërkesat e trajnerit Edi Martini. Në pjesën e parë të sezonit çaloi jo pak pjesa ofensive, me sulmuesin kryesor, Darko Nikaç, që realizoi vetëm një gol. Kjo ka vënë jo pak në pikëpyetje të ardhmen e malazezit te Teuta, por megjithatë deri më tani nuk ka asgjë zyrtare nga klubi dhe Nikaç është paraqitur në Durrës si zakonisht, duke vijuar stërvitjen. Ndërkohë, një zhgënjim më vete ka qenë edhe Basit Khalid, për të cilin Teuta ka shpenzuar jo pak, duke blerë kartonin e tij te Prishtina.

Zamir Qypi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"