Teuta vuan jashtë fushe, trajneri Shkëmbi nis “terapinë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2019 | 19:21

Teuta vuan jashtë fushe, trajneri Shkëmbi nis “terapinë”

Pasi kanë mbyllur një javë të ngjeshur përgatitjesh, prej ditës së djeshme Teuta është përqendruar e gjitha te Vllaznia. Ndërprerja e kampionatit i ka shërbyer shumë stafit teknik, sidomos për të korrigjuar gabimet e shfaqura.

teuta

Por jo vetëm, pasi Bledi Shkëmbi ka punuar ndjeshëm edhe për rritjen psikologjike të lojtarëve. Ai po kryen “terapi” për të çliruar ekipin dhe sidomos sulmuesit. Skuadra jashtë fushës së vet luan gjithnjë nën presionin e pikëve dhe kjo reflektohet edhe te statistikat. “Djemtë e detit” kanë një bilanc negativ, pasi dy humbjet e vetme i kanë marrë pikërisht jashtë Durrësit.

Ndaj, trajneri e ka parë të udhës që të ndalet gjerë e gjatë në këtë drejtim. Futbollistët e ofensivës po vazhdojnë të ushtrojnë goditjet para porte, si në aksion ashtu edhe në gjendje të lirë. Kërkohen golat, pasi vetëm kështu mund të merren pikët. U bënë 4 javë që kanë harruar të fitojnë, ndaj kthesa në Shkodër është domosdoshmëri. Në “Loro Boriçi” nuk do të jetë assesi e lehtë, por as e pamundur.

PËRGATITJET – Pas pushimit të së dielës, Teuta ka rifilluar nga puna. Me një seancë të zhvilluar pasdite ka startuar zyrtarisht edhe java anti-Vllaznia. Këtë fundjavë ka edhe mungesa. I pezulluar është Hoxha prej të verdhëve, por vendin e tij pritet ta zërë Shkalla. Drejt riaftësimit të plotë është Khalid, por pezull mbetet Çyrbja. Grupit dje iu bashkua edhe Kallaku, pas angazhimit me U21.

Tashmë që kampionati ka hyrë në një fazë interesante, gabimet janë thuajse të ndaluara. Aspekti tekniko-taktik dhe mbi të gjitha ushtrime të ndryshme në veprime ofensive dhe defensive kanë qenë në fokus. Por, ajo që ra në sy ishte që repartet punuan të veçuara. Mesfusha dhe sulmi janë sektorët që po marrin vëmendjen më të madhe. Të paktën kjo u kuptua edhe dje, ndërsa trajneri kërkonte më shumë qarkullim topi, vertikalizime dhe inkursione nga lojtarët anësorë.

ZAMIR QYPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"