Teuta u beson fituesve, Krasniqi dhe Hebaj ëndërrojnë gol ndaj Granadës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2020 | 18:09

Teuta u beson fituesve, Krasniqi dhe Hebaj ëndërrojnë gol ndaj Granadës

Në Durrës duan kualifikimin. Pasi eliminuan Beitar Jerusalemin, tashmë do tentojnë të surprizojnë Granadën. Vetëm nesër në orën 16:00 do të presin në “Niko Dovana” spanjollët dhe gjithçka duket gati për ndeshjen e turit të dytë të Ligës së Europës. Edi Martini është marrë me çdo detaj para këtij 90- minutëshi, gjatë seancave që po zhvillojnë në Shijak.

Teuta

Trajneri pritet që t’i besojë formacionit fitues ndaj izraelitëve, por me një ndryshim në mesfushë. Në vend të Fabian Beqjes, pritet që të luajë Erando Karabeci i afruar në këtë merkato. Lajmi më i mirë vjen nga Bllagoja Todorovski. Mbrojtësi i linjës së majtë i është bashkuar më në fund grupit, duke hedhur pas krahëve dëmtimin që mbajti jo pak ditë në ankth durrsakët. Maqedonasi po stërvitej që nga fillimi i kësaj jave i diferencuar, por nga dje ka dhënë sinjale pozitive dhe me shumë gjasë do të jetë në fushë të enjten.

“Djemtë e detit” janë duke bërë prova edhe me penalltitë, pasi nuk duan që të jenë të papërgatitur për ndonjë surprizë të këtij tipi. E kanë të qartë se përballë një skuadre të La Ligas nuk do ta kenë aspak të lehtë, e megjithatë do luajnë gjithçka për gjithçka. Dhe në fund të fundit, nuk kanë asgjë për të humbur.

tEUTA

SULMUESIT – Teuta është një “blind” në sulm. Blerim Krasniqi dhe Rubin Hebaj e nisën më së miri këtë aventurë europiane, duke shënuar secili nga një gol kundër Beitarit. Tashmë ëndërrojnë që t’u shënojnë edhe spanjollëve dhe pse jo t’i japin një kualifikim që i shton milionat klubit. Titullar pritet që ta nisë fieraku, por gjasat janë që minuta të ketë edhe për shkodranin. Sulmuesi i ardhur nga Skënderbeu, është më shumë se i lumtur për këtë aventurë te durrsakët. “Ishte një nisje e mirë, si për mua dhe skuadrën.

E megjithatë, tashmë na pret një takim shumë më i vështirë. Granada luan një prej kampionateve më të forta në Europë. Futbolli është i paparashikueshëm, në fund të fundit vetëm 90 minuta janë. Ne do të bëjmë maksimumin, duke luajtur ashtu si ndaj Beitarit”, u shpreh për “SuperSport” 24- vjeçari. Rubin Hebaj po shijon formën që po kalon dhe pa frikë mund të themi që ky është momenti i tij. Pasi ndëshkoi izraelitët dhe më pas Tiranën në finalen e Superiores, beson se mund të shënojë edhe ndaj Granadës. “Ndihem shumë mirë në Durrës. Mora minuta dhe besoj se bëra mirë, si për grupin dhe për veten. Kam kapur formën e duhur, ndaj vendosa që të rinovova me Teutën.

Ëndërroj që t’u bëj gol edhe spanjollëve. Kur shënon, fiton edhe besim. Shpresoj të shënojë sa më shumë këtë sezon. Me Granadën do të jetë e vështirë, por le do të provojmë shanset tona. Pse të mos tentojmë fitoren. Që në momentin mësuam shortin, e kam menduar golin. Gjithsesi, rëndësi ka që ekipi të fitojë. Rivaliteti në sulm? Më mirë që ka konkurrencë në sulm, kjo do të na shërbejë shumë jo vetëm për mua, por të gjithë sulmuesve”, përfundoi 22-vjeçari.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"