Teuta tenton ish-sulmuesin e Partizanit, zbulohen prapaskenat me Plakun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2020 | 9:54

Teuta tenton ish-sulmuesin e Partizanit, zbulohen prapaskenat me Plakun

Largimi i Darko Nikaçit i hapi një vend në sulm Teutës për t’u futur në merkato, me synimin e forcimit të skuadrës me një qendërsulmues cilësor. Që prej muajit dhjetor, drejtuesit janë në bisedime intensive me disa sulmues shqiptarë dhe të huaj për të zgjedhur në fund një prej tyre. Nikaç shënoi vetëm një gol dhe zhgënjeu, prandaj dhe klubi mendon të bëjë një goditje në sulm për të kompletuar skuadrën.

Teuta festa e golit (1)

Është lakuar në ditët e fundit emri i qendërsulmuesit Rubin Hebaj, i cili njihet mirë nga trajneri Edi Martini, por ende nga klubi nuk ka ndonjë konfirmim për akord me shkodranin. Mësohet se sulmuesi po pret një ofertë nga jashtë, prandaj dhe po mban për momentin pezull pistat vendëse, teksa në lojë duket edhe Vllaznia.

Ndërkohë, “Panorama Sport” mëson se durrsakët u interesuan pak ditë më parë edhe për sulmuesin Sebino Plaku, që në pjesën e parë të këtij sezoni luajti me Llapin në Kosovë.

sebino plaku

Mësohet se Teuta ishte e gatshme të jepte në këmbim të Plakut sulmuesin Basit Khalid, por palët nuk gjetën një marrëveshje, edhe sepse ganezi kërkon të qëndrojë në Durrës dhe jo të rikthehet në Kosovë. Kësisoj, dje Plaku firmosi për Gjilanin, aty ku luajnë edhe ish-lojtarët e Teutës, si Frashëri, Progni dhe Bushiç.

SITUATA 

Momentalisht te Teuta ka vetëm një lëvizje në hyrje. Mbrojtësi i ri, Klevis Lushku, është rikthyer në ekip, pas huazimit te Vushtrria në pjesën e parë të sezonit. Ai është stërvitur me durrsakët duke filluar nga data 3 janar. Teuta ka nevojë për përforcime, pasi deri më tani janë larguar dy futbollistë dhe grupi i lojtarëve nën urdhrat e stafit teknik është i cunguar.

Drejtuesit po shohin tregun vendës dhe atë të rajonit për të gjetur lojtarët e duhur dhe që mund të përshtaten sa më shpejt, pasi koha në dispozicion është e vogël. Teuta ka piketuar të paktën dy përforcime me peshë në mesfushë dhe sulm. Klubi durrsak po shikon mundësinë edhe të ndonjë formule huazimi me lojtarë nga Superiorja, pasi janari është disi i vështirë për të gjetur lojtar cilësorë. Fakti që blutë janë një klub tradite dhe kanë marrëdhënie të mira me skuadrat e tjera të Superiores, pritet t’ua bëjë më të lehtë ndërhyrjen në merkato.

Zamir Qypi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"