Teuta synon Europën, Arapi i beson Hebajt: Uroj të tregojë vlerat e tij si sulmues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2020 | 21:56

Teuta synon Europën, Arapi i beson Hebajt: Uroj të tregojë vlerat e tij si sulmues

Kapiteni i Teutës, Renato Arapi, njihet si një nga ata lojtarë që ka grintë në fushë dhe jashtë saj. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi i bluve tregon se ç’do të thotë për sportistin dy muaj pushim. Dy fjalë për ditët e vështira, stërvitjen, Europën dhe pse pret me padurim që të rinisë kampionati. Arapi mendon që dhe Kupa e Shqipërisë është një mundësi reale, por gjithsesi kapiteni i durrsakëve nuk lë mënjanë as kampionatin dhe beson se objektivi i Teutës do të arrihet më fund.
renato arapi
Renato, prej disa ditësh keni nisur stërvitjen në grup. Sa ju ku munguar fusha, por edhe shokët e skuadrës?
Po, sigurisht ka qenë shumë e vështirë të them të drejtën. E kemi pritur me shumë entuziazëm rihapjen dhe rifillimin e stërvitjes, ashtu siç po presim me entuziazëm edhe rifillimin e kampionatit, sepse është hera e parë që qëndrojmë kaq gjatë larg fushave.

Kjo periudhë kaq e gjatë pa futboll sa do të ndikojë te futbollistët, edhe pse te Teuta ka pasur stërvitje individuale?
Unë mendoj që do të ndikojë goxha, sepse të qëndrosh dy muaj e gjysmë larg fushave është shumë e vështirë që të rifitosh formën që kishe. Por këto dy javë e gjysmë që kemi do t’i shfrytëzojmë maksimalisht për të ardhur në formë, por realisht është shumë e vështirë. Kampionati rinis më 3 qershor.

Jeni pro kësaj date, duke parë që duhet dhe një minifazë përgatitore që lojtarët të mos kenë dëmtime?
Unë e thashë që minimalisht një periudhë dyjavore duhej. Ne kemi pak më shumë se dy javë. Normalisht që do dëshironim më shumë, por mendoj që dhe këto dy javë do të na shërbejnë goxha për të ardhur në formën e duhur. Shpresoj që t’i shfrytëzojmë siç duhet edhe ta rinisim kampionatin, sepse siç e thashë, është hera e parë që qëndrojmë kaq shumë larg fushës. Kështu që, nuk është mirë për askënd dhe e presim me entuziazëm ditën që do rifillojë kampionati.
teuta
Si e shihni Teutën në rinisjen e kampionatit? Aspirohet një pjesëmarrje në Europë, por edhe Kupa e Shqipërisë mbetet një mundësi?
Po, sigurisht që dhe Kupa është trofeu që arrihet më kollaj edhe ka rrugën më të shkurtër. Sigurisht që edhe kampionati është një nga objektivat tanë siç ia kemi vënë vetes që në fillimin e sezonit për të arritur Kupat e Europës. Mendoj që deri tani jemi brenda objektivave. Kemi edhe 10 ndeshje për të luajtur dhe besoj që do ta arrijmë atë objektiv që i kemi vendosur vetes.

Teuta realisht ka probleme në vijën sulmuese?
Siç e dimë të gjithë, problemi i sulmit nuk është vetëm te Teuta, por te kampionati në përgjithësi. Është e vështirë që me buxhetet që kanë klubet shqiptare të gjenden lojtarë cilësorë, aq më tepër në merkaton e janarit. Shpresoj që edhe Hebaj të marrë më shumë minuta dhe t’i tregojë vlerat e tij.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"