Teuta sot në fushë, “hall” për skemën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2018 | 15:10

Teuta sot në fushë, “hall” për skemën

Sot në orën 18:00, zyrtarisht “djemtë e detit” fillojnë përgatitjet për sezonin e ri. Pasi është konfirmuar se faza përgatitore do të zhvillohet në Rimini të Italisë, aty ku qëndruan edhe një vit më parë, drejtuesit së bashku me trajnerin po punojnë për merkaton. Megjithatë, shqetësimi për stafin teknik nuk është vetëm plotësimi i kontingjentit me lojtarë cilësorë, por edhe moduli i lojës. Bledi Shkëmbi preferon të ketë disa alternativa dhe në këtë pikë ka disa pakënaqësi.

teuta

E para qëndron te lojtarët që pritet të afrohen dhe fakti se kur do të jenë gati për skuadrën, kur dihet që ekipi sot nis punën. Kondicioni fizik është shumë parësor dhe në rast se i gjithë grupi nuk është i plotë përpara nisjes për në Itali, kjo mund të ndikojë në aktivitet. Gjithashtu, shumë e rëndësishme është edhe moduli që trajneri do të aplikojë, por vendosja e Teutës në fushë varet shumë prej lojtarëve që ka në organikë. Gjatë sezonit të kaluar, durrsakët luajtën me skema të ndryshme, duke filluar nga 4-2-3-1, 4-4-2, 4-4-1-1, 4-5-1. Nga skuadra e vitit të kaluar janë larguar disa emra të rëndësishëm si kapiteni Arbër Çyrbja, i cili mund të luante në disa role apo edhe Anel Dediç, Ardit Hila e Masahudu Alhasan.

shkembi

Në këtë pikë, mesfusha është reparti që ka pësuar ndryshimet më të mëdha. Shkëmbi mund të aplikojë një modul të ri, duke u bazuar te kontingjenti me një mesfushë në formë rombi apo edhe me dy lojtarë në krahë, pasi ka në dispozicion Beqjan dhe Vilan, që janë shumë të shpejtë, por edhe Krujën që mund të bëjë edhe “xholin”. Edhe Hakaj ka luajtur si mesfushor krahu, ndaj është si opsion. Gjithsesi është ende herët të flitet për formacionin, pasi pas stërvitjeve të para dhe mbi të gjitha ndeshjeve miqësore, mund të kristalizohet Teuta e re.

D.Xhepollari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"