Teuta s’gjen rehat me portën, me korçarët e favorizon… historia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2017 | 11:37

Teuta s’gjen rehat me portën, me korçarët e favorizon… historia

“I kënaqur, por kemi ende disa gjëra që duhet t’i rregullojmë”, kjo është fraza që trajnerët përdorin zakonisht kur skuadra fiton. Por çfarë ndodh kur humbet? Gjithçka merr një dimension tjetër. Edhe pikat më të forta fillojnë të zbehen. Teuta e nisi këtë sezon shumë e motivuar dhe në start nuk zhgënjeu me dy fitore, por me stafin teknik që shfaqi pakënaqësi për repartin defensiv dhe me të drejtë.

kastrati ogunxhimi skenderbeu teuta

Teuta është ekipi i dytë që ka pësuar më shumë gola në këtë edicion, 10 në 6 takime, me një mesatare 1.67 gola për ndeshje. Ekipet që kanë të njëjtat ambicie me bregdetarët kanë pësuar gjysmën e golave. Pra, Gugash Magani ka të drejtë të shqetësohet dhe një faktor kryesor se përse durrsakët kanë regjistruar vetëm rezultate negative në javët e fundit është mbrojtja, kryesisht porta.

Në fillim Elhan Kastrati, më pas Shpëtim Moçka dhe sërish aktivizohet 20-vjeçari, me trajnerin Magani që pas ndeshjes me Kukësin pranoi se është në një situatë të vështirë me portierët që po e zhgënjejnë. Në një moment kaq delikat, gjithçka bëhet edhe më e vështirë për stafin teknik që duhet të rikthejë skuadrën te rezultatet pozitive.

Përballja me Skënderbeun vjen në një moment aspak të përshtatshëm, por Teuta ka një shans të mirë për të treguar potencialin e vërtetë ndaj një kundërshtari dinjitoz. Kjo ndeshje i ka të dyja anët e medaljes, e megjithatë durrsakët gjithmonë kanë treguar se ndaj bardhekuqve shndërrohen në një ekip tjetër, pavarësisht momentit në të cilin ndodhen.

Në 13 përballjet e fundit zhvilluar mes tyre në stadiumin “Niko Dovana”, që nga sezoni 2009-2010 kur Skënderbeu u rikthye në Kategorinë Superiore, durrsakët kanë grumbulluar 4 fitore, 5 barazime dhe 4 humbje. Pra, statistikat flasin qartë se kjo është një ndeshje shumë e luftuar me vendësit që janë një kundërshtar tepër i vështirë për korçarët, edhe pse kanë fituar 6 tituj (1 iu hoq nga FSHF) në 8 vitet e fundit.

DRILON XHEPOLLARI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"