Teuta rigjen “nëndetësen” pas 9 viteve, ndryshon mbrojtja. Ja formacioni i mundshëm i durrsakëve kundër Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2021 | 10:42

Teuta rigjen “nëndetësen” pas 9 viteve, ndryshon mbrojtja. Ja formacioni i mundshëm i durrsakëve kundër Dinamos

Teuta dhe Dinamo do të luajnë një ndeshje për llogari të Kategorisë Superiore pas plot nëntë vitesh mungesë. Në fakt, që prej rënies nga elita të bluve kryeqytetas, asnjëherë dy skuadrat nuk kanë pasur përballje me njëra-tjetrën, qoftë edhe në Kupën e Shqipërisë. Për herë të fundit mes tyre, Teuta dhe Dinamo kanë luajtur në fundin e sezonit 2011-2012, më saktë më 14 prill 2012, teksa durrsakët fitonin në kryeqytet me shifrat 0-1. Në atë takim vendoste një gol i qendërmbrojtësit Akil Jakupi, që si për koincidencë, tashmë është trajner në akademinë e Dinamos. Të shtunën në stadiumin e Rrogozhinës, Teuta është pritur në një takim ku si kundërshtar do të ketë edhe trajnerin Bledi Shkëmbi, që ka drejtuar durrsakët dy sezone më parë.

Teuta-Partizani

PËRGATITJET – Barazimi ndaj Vllaznisë me 10 lojtarë sigurisht që e ka rritur adrenalinën te Teuta, e për më tepër që skuadra tashmë është në rrugën e duhur dhe brenda pritshmërive në këtë fillim sezoni. “Djemtë e detit” kanë zhvilluar seancën e radhës stërvitore me sytë nga përballja e së shtunës. Gjithçka nisi me një nxehmje të lehtë, ku përgatitësi atletik, Eduart Salillari dhe zv.trajneri Bledar Hodo vazhduan punën me futbollistët me disa ushtrime fizike. Trajneri Edi Martini praktikoi një lojë brenda grupit duke provuar titullarët që pritet të jenë nesër në fushë. Te Teuta janë të ndërgjegjshëm se i pret një ndeshje e vështirë, por lojtarët janë mjaft të motivuar dhe shpresojnë që të vijojnë me rezultate të mira në kampionat.

FORMACIONI – Martini ka marrë lajme të mira nga infermieria, pasi sulmuesi Sebino Plaku, i cili ka ndier ditët e fundit një shqetësim në kofshë do të jetë i gatshëm për ndeshjen me Dinamon. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për qendërmbrojtësin serb, Filip Ivanoviç, i cili pati probleme shëndetësore në prag të ndeshjes me Vllazninë dhe nuk u rrezikua me aktivizimin në Shkodër. Kësisoj, mungesat e vetme ndaj Dinamos do të jenë mbrojtësi i djathtë, Bllagoja Todorovski, si dhe sulmuesi i krahut, Lorenco Vila, i cili prej javësh po kryen fazën e riaftësimit pas dëmtimit në muajin korrik.

Sipas të gjitha gjasave në krahun e djathtë të mbrojtjes do të luajë Hektor Idrizaj, ndërsa në pjesën tjetër të prapavijës janë Selmani, Ivanoviçi dhe Xheksoni. Në mesfushë do të rikthehet Aleksi, i cili luajti si qendërmbrojtës në Shkodër. Rivaliteti është i madh, pasi kandidat për një vend në formacion është edhe ganezi Ruben Akuah, i cili bëri një performancë të mirë ndaj Vllaznisë, ku për herë të parë e nisi nga fillimi.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"