Teuta rigjen dy lojtarë, Shkëmbi ka luks përzgjedhje. Vetëm një mungesë ndaj Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2019 | 21:57

Teuta rigjen dy lojtarë, Shkëmbi ka luks përzgjedhje. Vetëm një mungesë ndaj Partizanit

Pas pushimit njëditor, Teuta ka nisur dje përgatitjet për ndeshjen e radhës me Partizanin, që do ta zhvillojë në “Selman Stërmasi” të shtunën në orën 14:00.

teuta

Durrsakët kanë një ekip solid dhe me Shkëmbin në krye, pretendimet janë për më shumë këtë sezon. Europën e provuan, ndërsa tashmë do të guxojnë t’i shkojnë pranë titullit. Ndoshta pak e tepruar, por Teuta ka qenë gjithmonë pretendente. Fillimi i mbarë është edhe gjysma e punës, ndaj edhe në Durrës kanë filluar që të besojnë dhe t’i bëjnë llogaritë mirë. Teuta edhe këtë sezon e ka nisur me pretendime, duke qenë bashkëkryesuese me Bylisin (11 pikë pas 6 javësh kampionat).

Fitorja me Kukësin erdhi në momentin e duhur për durrsakët, të cilët tashmë kanë hedhur sytë për të ruajtur vendin e parë dhe pse jo dhe ta mbajnë deri në fund. Stërvitja – Seanca e djeshme ka pasur ngarkesë maksimale, kjo për vetë faktin se lojtarët kanë qëndruar 24 orë pushim. Përgatitjeve u është bashkuar edhe mbrojtësi Fabian Beqja, i cili ka lënë pas dëmtimin e gjatë dhe ka zhvilluar program të plotë stërvitor.

Seanca filloi si zakonisht me nxemje dhe me një vrapim të lehtë. Lojtarët të drejtuar nga stafi teknik me në krye trajnerin Bledi Shkëmbi, stërvitjen e vazhduan me ushtrime fizike dhe lojë me top. Prezent ishin të gjithë futbollistët, teksa vlen të theksohet se atmosfera brenda grupit është mjaft pozitive.

Fitorja ndaj Kukësit ka ndryshuar komplet atmosferën, ndërsa tani shpresohet te një rezultat pozitiv ndaj kampionëve. Përpara ndeshjes në kampionat, Teuta do të zhvillojë sfidën e kthimit për Kupën e Shqipërisë kundër Tërbunit, pikërisht nesër në orën 14:00. Lajm i mirë është rikthimi nga pezullimi i Albano Aleksit, ndërsa do të mungojë Blagoja Todorovski, që u ndëshkua me të kuq ndaj Kukësit.

Zamir Qypi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"