Teuta pret sulmuesin e Interit, largohet edhe Fabio Hasa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 19, 2017 | 14:21

Teuta pret sulmuesin e Interit, largohet edhe Fabio Hasa

Teuta, nën drejtimin e trajnerit Gugash Magani, i ka zhvendosur përgatitjet në Itali, ku për tri javë do të zhvillohet një fazë përgatitore intensive, në mënyrë që ekipi të jetë gati për fillimin e sezonit të ri. Skuadra ka mbërritur në shtetin fqinj dhe menjëherë ka nisur përgatitjet e para. Përpara nisjes për në Itali ndodhën disa ndryshime në radhët e skuadrës durrsake.

Teuta

Ndonëse u konsiderua i pavlefshëm, Teuta e riktheu sulmuesin serb, Semin Haxhibuliç, i cili pas prezantimit u nis me ekipin për fazë përgatitore. Por në momentet e fundit drejtuesit vendosën të ndërpresin bashkëpunimin me tre lojtarë të sezonit të shkuar. Me ekipin nuk udhëtuan në drejtim të Italisë Enriko Papa, Tarik Cmajcanin dhe Fabio Hasa.

Ish-futbollisti i Tiranës, Enriko Papa, ka marrë leje kalimin dhe ka dalë lojtar i lirë. Mesfushori serbo-boshnjak është larguar në çastet e fundit, por Tarik shpreson të mbetet në futbollin shqiptar. Ndërsa ish-lojtari i Partizanit, Fabio Hasa, edhe pse u përgatit me ekipin një ditë para nisjes për në Itali, nuk u përfshi në radhët e Teutës.

Por me ekipin ka udhëtuar elbasanasi Bilali, i cili duket se e ka bindur trajnerin Magani gjatë ditëve të provës dhe është grumbulluar me ekipin për fazën përgatitore. Në ditët në vijim pritet që me ekipin të bashkohet dhe nigeriani Sunday, i cili ka arritur marrëveshjen me durrsakët. Shpresohet që gjatë fazës përgatitore në Itali, Teutës t’i bashkohet edhe sulmuesi në pronësi të Interit, Ze Turbo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"