Teuta “peshkon” të rinj, rrëfehet talenti Gruda: Gati të shpërthejë në Durrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 11, 2020 | 21:12

Teuta “peshkon” të rinj, rrëfehet talenti Gruda: Gati të shpërthejë në Durrës

Teutës vazhdon me konkretizimet e merkatos së janarit, ku si fillim prioritet ka pasur forcimi i sulmit. Klubi durrsak, pasi firmosi me sulmuesin nga Guinea-Bisau, Idelino Kolubali, dje ka zyrtarizuar Ildi Grudën, i cili në pjesën e parë të sezonit luajti me Shënkollin në Kategorinë e Parë.

grudaaa

Gruda ka qenë protagonist në këtë edicion me skuadrën e tij, duke shënuar 6 gola në 12 ndeshje. Sulmuesi vjen për të dhënë maksimumin dhe për t’u afirmuar te Teuta. Pas zyrtarizimit, në një prononcim për “Panorama Sport”, Ildi Gruda u shpreh i lumtur për aventurën e re që po nis në Kategorinë Superiore me Teutën.

Ildi, pas disa ditësh në provë, tani jeni pjesë e Teutës, si ndiheni?

Ndihem i lumtur. Kur firmosa, isha i emocionuar dhe me zor prisja të nisja stërvitjen me ekipin. Me rëndësi është që fillova të njoh klubin, njerëzit që punojnë këtu dhe është nisje e mirë për mua.

Kush ju solli te Teuta?

Falënderoj presidencën dhe profesor Martinin, që nuk dyshoi për asnjë moment tek unë dhe më hapi derën. Ndihem shumë mirë që do të kontribuoj për Teutën, për të arritur objektivat që ka në Superiore.

 Çfarë ju bindi të firmosnit me skuadrën durrsake? 

Teuta ka qenë dhe është promovuesi i të rinjve në Superiore dhe kjo më bindi të vij këtu. Shpresoj që me paraqitjet e mia të arrij t’i bind të gjithë ata që besuan tek unë. E vlerësoj Teutën, derisa më ka vlerësuar dhe do mundohem t’ia shpërblej me rezultate. Kam pasur oferta edhe nga klube të tjera, por Teuta ishte zgjedhja më e mirë.

Duke qenë sulmues, sa mendoni se do të shënoni në këtë sezon?

Dëshira është shumë e madhe. Do mundohem të shënoj sa më shumë, por duhet të kesh dhe pak fat. Ne sulmuesit kemi gjithmonë presion për të shënuar. Po punoj këto ditë që të jem gati sa më shpejt për ekipin.

Çfarë synimesh keni tani që jeni pjesë e Teutës?

Synimet janë të jap maksimumin duke zbatuar me përpikmëri detyrat e trajnerit dhe stafit, të shënoj dhe kontribuoj për Teutën.

Mendoni se do të përshtateni shpejt te skuadra durrsake?

Absolutisht që po. Kam gjetur një ambient fantastik. Më kanë pritur shumë mirë dhe që në momentin kur ramë dakord të kaloja te Teuta, u ndjeva shumë mirë dhe i vlerësuar nga drejtuesit dhe i gjithë klubi.

A keni një idhull në repartin tuaj dhe cili është ai?

Si sulmues më pëlqen shumë Kristiano Ronaldo. Është e vështirë të arrish nivelet e tij, por është lojtari që unë ndjek.

Zamir Qypi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"