Teuta përgatit ndeshjen ndaj Laçit, dëmtimi i mbrojtësit mban “peng” trajnerin Arapi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2022 | 18:21

Teuta përgatit ndeshjen ndaj Laçit, dëmtimi i mbrojtësit mban “peng” trajnerin Arapi

Ecuria e mirë në ndeshjet e fundit ka bërë që Teutës t’i hapet oreksi për pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës. Në 6 javët e fundit të besuarit e trajnerit Renato Arapi janë kthyer te stofi i ekipit kampion, duke marrë katër fitore dhe dy barazime.

Teuta-Egnatia festa

Kur kanë mbetur edhe dy javë nga mbyllja e kampionatit, Teuta është e gjashta në renditje, 3 pikë larg Kukësit e Vllaznisë, dhe synimi është pozicionimi në vendin e katërt, ku mund të fitojnë një biletë europiane në rast se Laçi fiton Kupën. Fillimisht Teuta duhet të bëjë detyrën e saj duke marrë 6 pikët në dy javët e mbetura dhe më pas për të shpresuar te kombinimet në favorin e saj.

DËMTIMI

Në prag të ndeshjes së javës së 35-të me Laçin, Teuta i mban sytë nga Filip Ivanoviç, pasi mbrojtësi mban peng manovrat e “djemve të detit” për këtë takim. Në lidhje me mbrojtësin serb, gjithçka ka të bëjë me dëmtimin që 30-vjeçari pësoi ndaj Kastriotit. Për momentin nuk ka siguri për aktivizimin e Ivanoviçit ndaj kurbinasve, ndaj stafi teknik do ta mbajë në monitorim mbrojtësin serb.

Me Ivanoviçin në pikëpyetje, i bie që formacioni për ndeshjen e fundjavës me Laçin të përcaktohet vetëm në seancën e fundit, ku do të vendoset nëse 30-vjeçari ia del ose jo për të qenë titullar. Trajneri Arapi pritet që ndaj kurbinasve të bëj disa lëvizje në formacion për të konsoliduar njëmbëdhjetëshen, pasi alternativat janë të shumta dhe grupi thuajse i plotë.

PËRGATITJET

Durrsakët kanë vijuar me përgatitjet për Laçin dhe situata në ekip është optimiste dhe entuziaste. Xhekson vijon të jetë i pamundur dhe është mungesa e vetme e sigurt ndaj kurbinasve, ndërsa në dyshim mbetet mbrojtësi Filip Ivanoviç. Trajneri Arapi e ka parë të nevojshme të motivojë ekipin, pasi dihet se një takim i tillë kërkon interpretim perfekt dhe angazhim maksimal. Për stafin teknik e rëndësishme është që skuadra të jetë e bashkuar në prag të Laçit, që do të thotë shumë për vijimësinë dhe për objektivat.

Për këtë arsye, trajneri Arapi para fillimit të seancës së djeshme zhvilloi një bisedë me të gjithë grupin, duke mbajtur një fjalim të shkurtër dhe ndarë detyrat e përgjegjësitë për gjithsecilin. Kampionati ka hyrë në sprintin final dhe gabimet janë thuajse të ndaluara. Aspekti tekniko-taktik dhe mbi të gjitha ushtrime të ndryshme në fazën ofensive dhe difensive kanë qenë në fokusin e trajnerit të Teutës. Por ajo që ra në sy ishte që repartet punuan të veçuara. Mbrojtja dhe sulmi janë sektorët që po marrin vëmendjen më të madhe te Teuta, pasi kërkohet siguri në prapavijë dhe shpërthim e finalizim perfekt të aksioneve.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"