Teuta përballet sot me Çezenën, Magani teston dy sulmues të huaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2017 | 9:47

Teuta përballet sot me Çezenën, Magani teston dy sulmues të huaj

Pas një jave përgatitjesh, sot Teuta do të luajë ndeshjen e parë miqësore në tokën italiane. Durrsakët do të përballen me skuadrën e Serisë B, Çezena, në orën 17:00. Trajneri Gugash Magani ka shansin që të testojë lojtarët e rinj, por edhe të provojë dy sulmues të huaj që pritet t’i bashkohen ekipit ditën e sotme.

Teuta

Emrat e lojtarëve nuk bëhen të ditur, por gjithsesi çdo gjë është në dorë të Maganit, i cili do të vendosë për të ardhmen e tyre pas ndeshjes. Trajneri ka gjashtë ndeshje në dispozicion për të provuar kontingjentin aktual, por edhe për të parë se ku çalon skuadra.

Edhe pse janë larguar plot 15 lojtarë nga Teuta, klubi po punon me të gjitha forcat për të afruar emra cilësorë që do t’i shërbejnë skuadrës. Drejtuesit e klubit kanë dhënë garanci se do të plotësohen boshllëqet e lëna nga largimet e shumta.

AKADEMIA

Jo vetëm në merkato, por klubi durrsak po lëviz edhe në drejtim të akademisë. Kështu, drejtori i akademisë së Teutës është emëruar Mikel Furrxhiu, ndërsa Hito Hitaj do të kalojë në postin e drejtorit teknik të akademisë.

Ashtu siç dihet, administrator i klubit është emëruar Erjon Jakova. Pritet që Teuta të kthehet në shoqëri aksionare, teksa presidenti Edmond Hasanbelliu do të jetë kryeaksioneri, ndërsa më pas vijnë Ardian Bardhi dhe bashkia Durrës. Klubi synon të jetë në nivele të larta, duke nisur nga sezoni i ri.

JETON REXHMATI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"