Teuta pa “yllin” e skuadrës, Begeja: Lushnja na ka marrë 4 pikë, luajmë vetëm për fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 18, 2018 | 10:59

Teuta pa “yllin” e skuadrës, Begeja: Lushnja na ka marrë 4 pikë, luajmë vetëm për fitore

Teuta nuk mendon asnjë rezultat tjetër përveç fitores në takimin me Lushnjën që do të zhvillohet sot në orën 14:00 në stadiumin “Roza Haxhiu”. Trajneri Begeja nuk do të ketë të gatshëm një prej lojtarëve më të rëndësishëm të ekipit, kapitenin Çyrbja, që u dëmtua në ndeshjen ndaj Skënderbeut, gjithashtu edhe Alhasan të dënuar, por rikthehet Mustafov.

gentian begeja

Megjithatë, në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i durrsakëve deklaron se Lushnja është një skuadër që duhet respektuar.

Ju vjen keq që Lushnja ju ka marrë katër pikë në dy përballjet e para, aq sa është edhe diferenca juaj me Vllazninë?

Sigurisht që na vjen shumë keq, pasi nëse do të kishim ato katër pikë situata do të ishte ndryshe, megjithatë duhet të fokusohemi te e tashmja. E kemi përgatitur me kujdes këtë takim për të marrë fitoren.

Si keni planifikuar të luani kundër myzeqarëve, duke parë që trepikëshi është detyrim?

Ne do të futemi në fushë me qëllimin për ta fituar ndeshjen, pasi nuk kemi çfarë të humbasim, por nga ana tjetër edhe Lushnja luan mirë dhe duhet ta kemi kujdes. E kemi parë që në ndeshjet e fundit i ka hapur punë çdo kundërshtari. Jo vetëm kundër Lushnjës, por ndaj çdo kundërshtari ne kemi luajtur në sulm.

Teuta

Teuta krijon shumë raste, por i mungon goli. Çfarë nuk po funksionon me Latif?

Realisht, ekipi ka bërë ndeshje të mira dhe ne kemi shënuar minimumi një gol në çdo ndeshje. Duhet të kemi më tepër stabilitet dhe të tregohemi më të kujdesshëm si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Latif sakrifikohet për ekipin, por nuk ka arritur të zhbllokohet. Të gjithë presim më shumë dhe ai duhet të luftojë më tepër për të shënuar, pasi ekipi ka shumë nevojë për golat e tij.

Do të ndikojë mungesa e Çyrbjes në këtë përballje?

Arbëri është një futbollist shumë i rëndësishëm për ekipin, përveçse ka shënuar disa gola, e ndihmon ekipin në disa elementë të lojës. Mungesa e tij do të ndihet në ekip, por të gjithë lojtarët që do të aktivizohen janë të motivuar për të dhënë më të mirën për të fituar.

DRILON XHEPOLLARI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"