Teuta pa 4 mesfushorë ndaj Luftëtarit, Markoviç beson: Nuk zhgënjejmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2017 | 14:16

Teuta pa 4 mesfushorë ndaj Luftëtarit, Markoviç beson: Nuk zhgënjejmë

Një “mal” me mungesa dhe pikërisht në qendër të mesfushës. Teuta do të jetë e kushtëzuar në transfertën delikate të Gjirokastrës, teksa i duhet të llogarisë jo pak, por mospraninë e katër titullarëve. Emiljano Musta dhe Ardit Hila janë të pezulluar për shkak të kartonëve, ndërsa Bledar Hodo dhe Tarik Cmajcanin kanë mbyllur sezonin për shkak të dëmtimeve të rënda që kanë pësuar në javët e kaluara.

teuta tirana2

Trajneri Gugash Magani ka në dispozicion vetëm Bruno Ditën si mesfushor shkatërrues, ndërsa i duhet të përshtasë në qendër të këtij reparti emra si Enriko Papa apo Faizal Bangal. Kreu i pankinës po provon disa skema, në një kohë që mungesat i vijnë në momentin më të keq, kur skuadra duhet të ishte e plotë ndaj një Luftëtari të fortë.

MBROJTËSI

Bojan Markoviç beson se Teuta nuk do të dalë pa pikë nga transferta e Gjirokastrës. Në një bisedë për “Panorama Sport”, shtatlarti boshnjak flet i bindur për mundësitë që ka skuadra, pavarësisht mungesave. Sipas tij, kjo përballje duhet të interpretohet në mënyrën më perfekte.

markovic teuta

“Kampionatit po i vjen fundi dhe ne po e shohim veten në grupin e skuadrave që po luftojnë për mbijetesë. Nga të gjitha ekipet që luftojnë për mbijetesë, them se jemi më mirë të pozicionuar, por gjithashtu kemi edhe grupin e lojtarëve më cilësorë se rivalët. Për punën që kemi bërë apo dhe përbërjen që kemi, nuk e meritojmë të luftojmë për mbijetesë, por ky është fakt dhe duhet të jemi në superformë ditën e ndeshjes ndaj Luftëtarit.

teuta skenderbeu osmani musta

Nëse duam që të marrim pikë dhe të mos t’ia komplikojmë vetes pozitat për mbijetesë, duhet të përqendrohemi maksimalisht te kjo transfertë. Duhet me patjetër që ta kemi siguruar mbijetesën dhe të mos e lëmë për në ndeshjen e fundit.

Në Gjirokastër shkojmë me synimin për të marrë pikë, edhe pse e dimë që na pret një takim i vështirë, pasi Luftëtari kërkon të blindojë vendin e katërt. Kam bindjen se nuk do të dalim duarbosh, duke parë edhe punën që kemi bërë këto ditë”, përfundoi titullari i Teutës.

JETON REXHMATI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"