“Teuta nuk trembet nga askush”, Todorovski: Luajmë për vendin e dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2020 | 23:10

“Teuta nuk trembet nga askush”, Todorovski: Luajmë për vendin e dytë

Teuta mundi Skënderbeun, duke i konsoliduar edhe më shumë pozitat në zonën “Euro”. Zyrtarisht kanë koleksionuar 4 fitore radhazi, e megjithatë nuk kanë më në plan të ndalen. Këtë e thotë edhe Blagoja Todorovski, të cilit i është shtuar edhe më shumë oreksi. Ai paralajmëron se tashmë jo vetëm do të mposhtin Kukësin, por mund ta parakalojnë atë në renditje. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport” mbrojtësi qartëson se nuk kanë frikë askënd, por presin që finishi i këtij sezoni të jetë “Fair”.
blagoja todorovski

Teuta po shkëlqen në kampionat dhe Kupë. Cili është sekreti i këtij suksesi?
Ekipi po ecën mjaft mirë dhe shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm deri në fund. Sekreti mendoj se është fryma e grupit dhe atmosfera e mirë që kemi në skuadër.

Sa e vështirë ishte të kalonit Skënderbeun?
Nuk ishte e lehtë, pavarësisht fitores. Skënderbeu është një ekip i mirë dhe ka një filozofi loje që do shumë energji ta kontrollosh gjatë gjithë kohës. Fitorja ishte detyrim për ne dhe na jep besim për të ardhmen.
Ilir Daja
Trajneri Ilir Daja u ankua pas ndeshjes për gjykimin, por akuzoi edhe Teutën për lojë të ashpër. Si do t’i përgjigjeshit ju?
Nuk më pëlqen të merrem me atë çfarë ka thënë trajneri kundërshtar. Ai ka mendimin e tij. Unë di të them që ne kemi dominuar ndaj Skënderbeut. Ne luajmë lojën tonë. Futbolli njeh edhe përplasje e lojë të fortë. Kjo është grinta, karakteri që ka Teuta dhe uria për sukses.

Po pësohet pak dhe po shënohet shumë. Duket sikur ekipi është çliruar…?
Një skuadër, të madhe e bën sulmi, por edhe mbrojtja. Një ekip është i fortë dhe ka garanci për të ardhmen, kur i bën të dyja fazat e lojës. Është pozitive dhe e kënaqshme kjo ecuri, por ne kemi mundësi të shënojmë edhe më shumë.
Goli i Kukesit ndaj Bylisit logo
Të shtunën luani me Kukësin, a keni forca ta mundni dhe të hapni garën për vendin e dytë?
Kjo fazë e kampionatit është tepër e vështirë, këtu hyn edhe takimi me Kukësin, që ka një skuadër shumë të rrezikshme e me lojtarë cilësorë. Por, ne do të udhëtojmë për tri pikët në Kukës, pasi i kemi mundësitë. Jemi përballur edhe para pak ditësh në Kupë dhe i njohim mjaftueshëm.

Keni ndonjë sfidë të hapur me rivalët, ndonjë gjë për t’u thënë?
Ne si ekip kemi më shumë punë sesa llafe. Fakt është që gara është bërë e fortë dhe interesante falë rivalitetit. Laçi dhe Partizani janë dy skuadrat që rivalizojnë më shumë me ne. Janë dy ekipe shumë të forta dhe këtë sezon e kanë bërë garën interesante me konkurrencën e tyre. Konkurrenca është e madhe, por kjo ka ndikuar pozitivisht, pasi ka rritur cilësinë sportive.

Kanë mbetur edhe 4 javë për t’u luajtur, çfarë prisni nga finishi i këtij sezoni?
Po, duhen edhe katër javë që të mbyllet sezoni dhe sigurisht që ndeshjet e mbetura janë vendimtare. Gjithsesi, ne po i presim me qetësi. Synimi ynë si skuadër është të fitojmë një trofe.

U frikësoheni kundërshtarëve?
Teuta nuk ka frikë askënd në kampionat. Dëshirojmë të kemi një garë të drejtë e në fund të fitojë më i miri. Na intereson loja “Fair Play”.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"