“Teuta nuk do ta ketë të lehtë me ne”, Moçka: Nuk ia kemi hapur rrugën asnjë ekipi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2020 | 10:33

“Teuta nuk do ta ketë të lehtë me ne”, Moçka: Nuk ia kemi hapur rrugën asnjë ekipi

Flamurtari vërtet ka rënë nga kategoria, e megjithatë në Vlorë kanë me se të krenohen. Fakti që e kanë respektuar fanellën gjatë gjithë sezonit, i bën lojtarët që të ndihen mirë. Këtë e thotë edhe Shpëtim Moçka, i cili paralajmëron se të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe sot ndaj Teutës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, portieri e thotë me zë të lartë se nuk do të hapin rrugë as në dy ndeshjet e mbetura.
Mocka Flamurtari
Vlonjati “i palodhur” i portës së kuqezinjve, që nuk ka munguar në asnjë takim me përjashtim të javës së kaluar me Tiranën, nuk ka vendosur ende për të ardhmen, ndërsa pret që të përfundojë ky kampionat e më pas të mendojë se ku do ta vijojë karrierën.

Moçka, çfarë prisni nga ndeshja me Teutën?
Kemi edhe dy javë për të luajtur. Nga ndeshja e radhës që do ta luajmë me Teutën, presim që të luajmë pa presion. Do të japim maksimumin për të mos dalë pa pikë nga ky takim. Jemi të angazhuar për të dhënë më të mirën tonë. I kemi të gjitha mundësitë që të zhvillojmë një ndeshje të mirë dhe të marrim pikë në këtë takim. Kemi luajtur mirë në ndeshjet e kaluara dhe them se një gjë të tillë ta përsërisim edhe në këtë ndeshje.
teuta
Domethënë, do t’i hapni punë Teutës që është në garë për Europën…?
Patjetër që po. Ky kampionat ka treguar që nuk ka ndeshje të lehta. Edhe ne i kemi mundësitë që të marrim pikë përballë çdo lloj kundërshtari. Teuta nuk do ta ketë të lehtë në këtë ndeshje. Çdo skuadër që ka luajtur me ne e ka pasur të vështirë. Të njëjtën gjë do ta ketë edhe kundërshtari i radhës, pasi ne luajmë për të respektuar fanellën, luajmë për qytetin, tifozët dhe veten tonë.
Tirana festa e golit ndaj Flamurtarit
Nuk luajtët me Tiranën dhe ajo është e vetmja ndeshje që mungoni në këtë sezon. Si u ndiet?
E vërtetë. Kisha luajtur në të gjitha ndeshjet e kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë, por të parën mungesë e pata ndaj Tiranës. Edhe kartonët janë pjesë e lojës, nuk ke çfarë të bësh. Unë gjithmonë përpiqem që të mos marr të verdhë, por nuk ke çfarë të bësh. Rikthehem për ndeshjen me Teutën për të dhënë maksimumin në këtë takim, siç kam bërë në çdo ndeshje.

Çfarë objektivi keni në këto dy javë të mbetura të kampionatit?
Për të bërë më të mirën e mundshme. Në këto dy takime duhet të respektojmë veten, ekipin dhe kampionatin. Ndaj, do të futemi në fushë me këtë mentalitet. Të bëjmë lojë të mirë dhe të marrim pikë. Këtë gjë e kemi bërë deri tani dhe do ta vazhdojmë deri në fund. Nuk ia kemi hapur rrugën asnjë ekipi dhe nuk do ta bëjmë as në këto 180 minuta të mbetura.

Shpesh keni deklaruar se gjykimi ju ka penazliuar, e keni këtë frikë edhe ndaj Teutës dhe Vllaznisë?
Siç mund ta keni vënë re, ne kemi qenë ekipi më i penalizuar këtë vit nga gjykimi. Më vjen shumë keq që ka ndodhur kështu, pasi ne kemi bërë ndeshje shumë të mira dhe jemi dëmtuar pa të drejtë, me penallti të paqena edhe me vendime të tjera të gjyqtarëve që kanë qenë kundër skuadrës sonë. Na kanë rënë në qafë, kur ne kemi qenë në punën dhe të drejtën tonë.

A keni menduar për të ardhmen, do të qëndroni në Vlorë?
Akoma jo. Unë po mendoj edhe këto dy javë që kanë mbetur që të paraqitemi sa më mirë. Pastaj do të mendoj për të ardhmen. Të presim njëherë të mbarojë kampionati.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"