Teuta në provën e forcës, Martini fiksohet me sulmin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2021 | 23:03

Teuta në provën e forcës, Martini fiksohet me sulmin

Vetëm 16 gola në 16 ndeshje kampionat duken shumë pak për një skuadër që pretendon titullin kampion. Thuajse çdo ndeshje Teuta krijon shumë raste për gol, por finalizimi mbetet një problem madhor aktualisht në kampin durrsak. Me fazën mbrojtëse të ekipit, që duket gati perfekte, halli më i madh për trajnerin Edi Martini është bërë sulmi, teksa lojtarëve të këtij reparti u ka munguar shënjestra.

Edi Martini

Barazimet e shumta, (9 deri më tani) kanë penalizuar deri diku Teutën në luftën për të qenë sa më afër kreut. Edhe skuadra që mban aktualisht vendin e fundit, Skënderbeu, ka shënuar dy gola më tepër se Teuta. Martini po punon gjithnjë e më shumë me repartin ofensiv dhe diçka e tillë ndodhi edhe dje, kur për minuta të tëra, trajneri demonstroi vetë mënyrën se si sulmuesit duhet të lëvizin në zonë, por jo vetëm. Skuadra punoi edhe me armën e saj më të fortë deri më tani, goditjet standarde.

PËRGATITJET

Teutës iu kthye makthi i barazimeve ndaj Partizanit, teksa ndeshja e shumëpritur ndaj “demave” nuk shkoi më shumë se rezultati 1-1 në stadiumin “Niko Dovana”. Pas një dite pushim të mërkurën, skuadra i është rikthyer dje përgatitjeve për transfertën që do të luajë të dielën në Laç.

Në kompleksin “Olympic Park”, në orën 11:00 të së enjtes ishin të pranishëm të gjithë lojtarët. Edhe sulmuesi Sebino Plaku u stërvit me grupin dhe do të jetë një alternativë më shumë për trajnerin Martini. Lojtarët kanë shfaqur angazhim maksimal ndaj detyrave të dhëna prej trajnerit. Stafi teknik ka zhvilluar një seancë tekniko-taktike, pasi synojnë që ta përshtatin skuadrën për ndeshjen që do të zhvillohet të dielën.

Drejtuesit kërkojnë me çdo kusht që blutë të lënë pas hapat fals, por që të realizohet kjo duhet kaluar së pari “malorja” e Laçit. Martini kërkon nga çdo lojtar që të jetë agresiv dhe të sulmojë. Pra, sipas tij Teuta duhet të jetë një trup, që jo vetëm të mbrojë mirë, por edhe të sulmojë me krahët, ku mbrojtësit Todorovski dhe Kuro me daljet e tyre të krijojnë epërsi numerike. Për trajnerin Martini është e rëndësishme që skuadra të jetë e bashkuar në prag të një përballjeje që do të thotë shumë për vijimësinë e sezonit dhe objektivat madhorë që ka klubi. Për këtë arsye, trajneri i bluve në seancën e djeshme fillimisht mbajti një fjalim të shkurtër, duke ndarë detyrat për gjithsecilin.

Më pas e ndau skuadrën në tre grupe. Binte në sy atmosfera e mirë në skuadër, ku nuk munguan as batutat mes lojtarëve. Pas ushtrimeve të përgjithshme, gjithçka u përqendruar te taktik në funksion të sfidës ndaj Laçit. Gjasat janë që të mos ketë asnjë ndryshim në formacion, edhe pse ndeshjet e deritanishme kanë treguar se reparti i mesfushës ka pasur lëvizje të shpeshta.

Durrsakët besojnë se në këtë provë force ndaj bardhezinjve të Duros do të tregojnë atë që bënë në fundin e vitit të kaluar kundër Kukësit në “Elbasan Arena”. Diferenca mes dy skuadrave është vetëm 3 pikë, me “djemtë e detit” që pozicionohen të tretët dhe kurbinasit të katërt.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"