Teuta në “luks” para ndeshjes me Kukësin, Martini ka dy plane për formacionin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2020 | 23:12

Teuta në “luks” para ndeshjes me Kukësin, Martini ka dy plane për formacionin

Teuta ka vijuar përgatitjet në kuadër të javës së tretë, ku nesër durrsakët do të presin Kukësin në “Niko Dovana”. Ekipi i drejtuar nga trajneri Edi Martini ka pasur në dispozicion kohën e mjaftueshme për ta përgatitur këtë takim. Pushimi i krijuar nga angazhimet e ekipeve kombëtare duket se u ka shërbyer për mirë “djemve të detit”, pasi Blerim Krasniqi është bashkuar me grupin duke marrë ngarkesën e duhur. Për sulmuesin u mendua se ndalesa nga dëmtimi që pësoi para kampionatit do të ishte më e gjatë. Me grupin është bashkuar edhe Fabjan Beqja, i cili tashmë po vijon me ushtrime specifike. Mbrojtësi është pikë kyçe në prapavijën e ekipit të Teutës.

Teuta festa e golit ndaj Tiranes

PËRGATITJET

Gjatë seancës së djeshme, që u zhvillua në “Olimpic Park”, futbollistët treguan optimizëm dhe gjendje të mirë. Ashtu si çdo ditë, trajneri Martini ka preferuar ta ndajë ekipin sipas reparteve. Tekniku shkodran u kërkoi të tijve përqendrim në çdo lëvizje dhe në çdo moment skuadra të jetë e gatshme për t’iu përgjigjur skemave apo dhe lojës, sipas situatave. Me përjashtim të Beqajt, i cili nuk do jetë gati as për këtë javë, të gjithë të tjerët kanë qenë nën urdhrat e stafit teknik. Deri nesër, kur do të luajnë përballë Kukësit në Durrës, të besuarit e Martinit kanë mundësi për të bërë përshtatjet e fundit. Ata besojnë se në këtë takim do të marrin maksimumin.

Ritmi i stërvitjeve vazhdon të jetë i lartë, skuadra punoj dje me një seanca të kombinuara për akumulim të forcës, kondicionit fizik, pa lënë pas pjesën tekniko-taktike. Futbollistët ju përgjigjën mjaft mirë ushtrimeve të kërkuara nga stafi teknik i skuadrës. Në çdo rast ata treguan ritëm të lartë dhe formë fizike mjaft të kënaqshme, e ku nuk mungoi edhe dëshira e madhe për përgatitje sa më të mirë për sfidën e javës së 3-të kampionatit. Të gjithë futbollistët me profesionalizëm maksimal u përgjigjën kërkesave të stafit teknik, të bindur se do të punojnë shumë, pasi të gjithë kërkojë që këtë sezon ta mbyllin me trofeun madhor. Trajneri Edi Martini po mundohet që ta mbajë ekipin larg dozave të euforisë, por edhe që ta ketë grupin të kompletuar.

teutaaa

DILEMAT E FORMACIONIT

Për Kukësin, trajneri Martini është në dilemë nëse do të përdorë formacionin tip apo të ndryshojë diçka nga fitorja e fundit me Tiranën. Me planin “A”, trajneri mendohet të përdorë rreshtimin bazë: Frashëri e nis titullar në portë, ndërsa para tij vijnë Todorovski, Hoxha, Arapi, Kuro në mbrojtje. Në mesfushë, Aleksi e Avdyli, ndërsa para tyre treshja L.Vila, Bregu e E.Vila. Në sulm i vetëm Rubin Hebaj. Gjithsesi, trajneri Martini ka edhe një plan “B”, ku Krasniqi mund të luajë një rol të rëndësishëm.

Nëse Martini bindet, mund të ketë një dyshe qendre, Hebaj-Krasniqi, dhe Aleksi me Avdylin në mesfushë së bashku. Mund të sakrifikohet E.Vila, por ky është plani i dytë i Martinit, që gjithsesi zor se ndryshon nga ajo që ka punuar gjatë javës. Të dyja planet janë efektive, ndërsa “A”-ja më i zbatueshmi, ndërsa “B”-ja mund të vihet në punë gjatë lojës. Në fakt, prej ditësh është punuar shumë për të pasur një ide të qartë të kundërshtarit. Skuadra dje punoi me dyer të mbyllura për të qenë e qetë para sfidës së ditës së shtunë që luhet në orën 16:45 në “Niko Dovana”.

ZAMIR QYPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"