Teuta në krizë rezultatesh, synohet kthesa ndaj Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2021 | 18:14

Teuta në krizë rezultatesh, synohet kthesa ndaj Partizanit

Pas 24 orësh pushim, ekipi i Teutës është grumbulluar dje në Durrës, ku ka nisur zyrtarisht përgatitjet për takimin e javës së dhjetë të Kategorisë Superiore, ku do të përballet me Partizanin të premten në “Elbasan Arena”. Skuadra e trajnerit Edi Martini, pas barazimit me Skënderbeun, kërkon të kthehet te fitorja, por as kalendari nuk e favorizon.

teuta

Për sfidën me të kuqtë, në radhët e Teutës do të ketë rikthime të rëndësishme, ku mbrojtja do të plotësohet me Adolf Selmanin dhe Xheksonin, ndërsa mesfusha me Aleksin dhe Akuanë, të cilët ishin të pezulluar nga kartonët e verdhë ndaj Laçit. Gjithashtu, Asion Daja ka lënë pas dëmtimin dhe luajti disa minuta në ndeshjen ndaj Skënderbeut.

PROBLEMET – Teuta është dorëzuar pa asnjë kusht në tri ndeshje e fundit të këtij sezoni të Superiores. Bregdetarët u mundën nga Laçi me shifrat e pastra 2-0 dhe barazuan ndaj rivalëve modestë në letër, Skënderbeut dhe Kastriotit. Përpara dy muajsh Partizani ishte sërish përballë skuadrës së Martinit po në Elbasan, por shumë gjëra kanë ndryshuar që nga 10 shtatori.

“Djemtë e detit” e kanë harruar se çfarë do të thotë të largohesh me tri pikë nga një takim.

“Sindroma” e barazimeve ende nuk është zhdukur dhe fitorja ndaj Partizanit duhet të përmbysë situatën dhe ta kthejë skuadrën në përmbushjen e synimit kryesor, që është vazhdimësia për t’i ushtruar presion edhe Tiranës kryesuese.

Psikologjikisht kjo situatë ka rënduar “djemtë e detit” sepse në kohëzgjatje është një muaj e gjysmë pa sukses. Fitorja e fundit daton më 23 tetor ndaj Egnatias për këtë arsye, 90-minutëshi i kësaj jave shihet si një mundësi e mirë për të rigjetur entuziazmin e duhur.

Ndaj Partizanit fitorja është detyrim, jo vetëm për faktin se luajnë ndaj një skuadre në krizë rezultatesh, por mbi të gjitha luajnë në Elbasan, aty ku këtë edicion kanë marrë 60% të pikëve. Kjo javë shihet shumë e mirë për Teutën, pasi favorizohet edhe nga përballjet e tjera të këtij raundi.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"