Teuta në kërkim të fitores së parë për 2018-ën, Nica kërkon më shumë agresivitet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2018 | 15:36

Teuta në kërkim të fitores së parë për 2018-ën, Nica kërkon më shumë agresivitet

Pas humbjes me Skënderbeun në Kupën e Shqipërisë, stafi teknik vendosi që lojtarët e Teutës të qëndronin një ditë pushim, për shkak të ngarkesës së madhe që kanë pasur gjatë javës.

teuta ad

Ekipi do të rikthehet sot në terren për të filluar me përgatitjet, për ndeshjen e radhës në kampionat kundër Laçit.Ky takim vlerësohet maksimalisht nga Teuta, që kërkon të gjejë fitoren e parë për këtë vit.

Pozicioni në klasifikim shqetëson stafin dhe trajnerin Stavri Nica, i cili ka kërkuar nga lojtarët të japin maksimumin në fushë, për të dalë sa më parë nga kjo situatë.

nica teuta

Laçi në këto momente ndodhet më afër zonës europiane dhe një fitore kundër tyre, përveçse do të kishte një vlerë të madhe për klasifikimin, do të ndikonte shumë edhe në aspektin psikologjik të Teutës.

Nica kërkon nga lojtarët, më tepër agresivitet dhe shpirt skuadre, të cilët kundër Skënderbeut dhanë sinjale pozitive, edhe pse sërish u mposhtën.

teuta

Në ndeshjen e fazës së parë, bregdetarët barazuan 1-1 ndaj Laçit dhe besojnë se i kanë të gjitha kualitetet për ta thyer kundërshtarin.

Kundër kurbinasve, sërish Teuta nuk do të jetë e plotë, pasi Anel Dediç dhe Esin Hakaj nuk do të jenë në dispozicion.

teuta2

Boshnjaku është jashtë skuadrës që nga 15 janari, për shkak se pati probleme me apendicitin dhe u shtrua me urgjencë në spital, në Turqi, për t’iu nënshtruar operacionit.

26-vjeçari ka filluar të përgatitet individualisht, ashtu si edhe Hakaj. Ndërkohë, pjesa tjetër e skuadrës është në dispozicion të stafit teknik, që kërkon fitoren e parë në një ndeshje zyrtare.

Drilon Xhepollari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"