Teuta në dishezë me tre humbje radhazi, vuan “sindromën e kampionëve”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2022 | 15:58

Teuta në dishezë me tre humbje radhazi, vuan “sindromën e kampionëve”

Teuta në dy sezonet e fundit arriti të jetë një skuadër shumë e fortë dhe të jetë e aftë të luftojë më të fortat. Sezoni i shkuar ishte edhe kulmi i këtij ekipi, pasi arritën të mposhtin konkurrencën e Partizanit, Laçit e Vllaznisë dhe të shpallet kampion pas më shumë se dy dekadash “thatësirë”.

teuta

Sukseset e njëpasnjëshme duket se e “dehën” Teutën e këtij sezoni. Asgjë nuk po shkon si duhet dhe humbja ndaj Kastriotit shenoi padyshim kulmin e krizës së ekipit të Edi Martinit. Në dhjetë ndeshjet e fundit në Kategorinë Superiore, Teuta ka arritur vetëm një fitore ndaj Dinamos, edhe ajo e ardhur me një gafë fatale të portierit Bakaj, i cili dërgoi topin aksidentalisht në portën e vet. Ky sukses, u pasua me një barazim ndaj Kukësit dhe tri humbje radhazi. Fillimisht i mposhti Tirana e më pas edhe Egnatia, e së fundmi Kastrioti. Deri më tani, Teuta nuk ka bërë thuajse asgjë për të treguar se është kampione në fuqi dhe është në gjendje ta mbajë me nder këtë titull. Kjo ecuri e vë në dyshim të madh kualifikimin në Kupat e Europës, që do të ishin shpëtimi i durrsakëve. 18 pikë në 16 ndeshje janë shumë pak për ta dhe me këtë ecuri, ndoshta do t’i duhet më shumë të shkëputen nga vendi i tetë (tri pikë larg), sesa të mendojnë Europën.

“SINDROMA E KAMPIONËVE” – Duke parë gjithë këto zhvillime negative të të kuqve, pa dyshim mund të themi se edhe Teuta bëhet pjesë e “sindromës së kampionëve”. Që nga epoka e Skënderbeut, asnjë klub tjetër kampion nuk ka arritur të sigurojë vazhdimësi e të përsërisë sukseset në një periudhë afatshkurtër.

FRIKA – Ajo që shqetëson në kampin e Teutës për momentin, është si do të jetë reagimi i skuadrës në ndeshjen e radhës, që është shumë e rëndësishme për Teutën. Ka nëntë pikë më pak se rivalët për Europën dhe në këtë moment duhet të tregojë forcën, ashtu siç ka bërë në gjithë këto vite. Në rast se fitojnë me Laçin, atëherë besohet se do të jenë në rrugën drejt objektivave. Por frika qëndron në anën tjetër, sepse nëse humbet, sezoni mund të quhet thuajse i hedhur në erë.

NDRYSHIMET – Për të hyrë në rrugën e mbarë, Teuta duhet të ndryshojë. Mbrojtja është pika më e plogësht e skuadrës dhe ndryshimet në këtë repart janë shumë më shumë se nevojë. Largimet e Arapit dhe Rustem Hoxhës e kanë bërë Teutën si “han”, ku mund të shënojë çdokush. Selmani u largua, ndërsa Ivanoviç do ende kohë të përshtatet. Nga ana tjetër, Qaqi, i ardhur së fundmi ende nuk është parë në fushën e lojës. Në Durrës po punojnë fort që të përmirësojnë difensivën. Ekipi ka nisur menjëherë përgatitjet për ndeshjen ndaj Laçit dhe dje ekipi ka zhvilluar një seancë trajnimi me ritëm më të ulët se normalisht.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"