Teuta mes “ëndrrash”, titulli nuk është utopi. Fitorja me Kukësin shton entuziazmin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2019 | 15:42

Teuta mes “ëndrrash”, titulli nuk është utopi. Fitorja me Kukësin shton entuziazmin

Teuta mes vendeve të para, aty ku edhe synohet titulli kampion. Fitorja ndaj Kukësit e ka rikthyer skuadrën durrsake në podin e kampionatit, por verdikti nuk është përfundimtar. Lufta vazhdon dhe në Durrës e dinë mirë këtë fakt. Në sfidën e radhës, e cila do të jetë në transfertë përballë kampionëve të Partizanit, Teutës i duhet fitorja për të vijuar të ruajë pozitat në krye të klasifikimit.

teuta

Pavarësisht disa momenteve jo të mira, në këtë klub ka ekzistuar besimi që ekipi do të rikthehej. Edhe në të shkuarën, durrsakët kanë treguar që dinë të rikthehen, por tani kanë ndeshjen me kampionët në fuqi dhe kusht i vetëm për këtë 90-minutësh është që të bëjnë më të mirën e mundshme. Objektivi – Vendi i parë përmendej realisht në startin e këtij edicioni dhe Teuta ka treguar se gjendet me meritë në atë pozicion.

Ndaj Kukësit erdhi një fitore me zemër, pasi skuadra diti të reagonte pas dy rezultateve jo të mira në dy javët e fundit. Ishte një fitore që u shoqërua me rokadë në klasifikim. Një moment që sigurisht shoqërohet me doza euforie për këtë paraqitje të deritanishme, edhe pse në Durrës vijojnë të qëndrojnë modestë, duke konfirmuar si objektiv pikërisht vetëm tri vendet e para. Pas 6 javëve të luajtura në kampionat, “djemtë e detit” janë në rrugën e duhur për të arritur objektivin primar, që tashmë shihet si një detyrim më se i realizueshëm për diferencën në klasifikim dhe formën e treguar.

teuta kukesi

“ËNDRRA”

Sa më shumë formë të tregojë skuadra, sa më shumë fitore ndaj ekipeve pretendente të arrijë, aq më shumë shtohet edhe “oreksi”. Madje, ëndrra në “Niko Dovana” është një tjetër: Që në duelin e fundjavës së 23 majit ndaj Laçit, festa në stadium të jetë me trofeun në duar.

RENDITJA

Suksesi ndaj Kukësit u shoqërua jo vetëm me rokadën në klasifikim, por edhe me afrimin ndaj rivalëve. Diferencat janë të vogla në renditje dhe përpara janë edhe shumë ndeshje. Mes tyre edhe një përballje direkte, duke nisur nga ajo e javës së 7-të, që do të luhet në “Selman Stërmasi”. Titulli i mungon Teutës dhe mund të përfundojë me një ëndërr të bërë realitet. Vetëm një herë kampion të vendit në sezonin 1993-’94, Teuta e këtij edicioni tenton rokadën edhe në klasifikim për të bërë të vetin titullin. Edhe pse Europa është një “trofe” shumë i rëndësishëm për “djemtë e detit” në këtë vit jubilar të 100-vjetorit të klubit, në Durrës mendojnë se festa bëhet më e bukur me titullin kampion dhe është pikërisht ky momenti për ta rikthyer në “Niko Dovana”.

Zamir Qypi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"