Teuta, merr fund makthi i mungesave, por në Gjirokastër i ndjek tersi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2019 | 17:25

Teuta, merr fund makthi i mungesave, por në Gjirokastër i ndjek tersi

Teuta, si asnjëherë tjetër, do të udhëtojë e plotë drejt Gjirokastrës. Prej javës së parë me Bylisin e deri te Tirana, Bledi Shkëmbi i ka bërë llogaritë gjithnjë me mungesa.

tEUTA

Por këtë herë situata ndryshon, pasi nuk ka të dëmtuar e aq më pak të pezulluar. Balgoja Todorovski që do të “pasurojë” edhe më shumë organikën e skuadrës synon rikthimin te fitorja. I padisponueshëm është Ledio Beqja, por në këtë rast planet nuk prishen. I riu është grumbulluar prej Kombëtares U-21 të Nevil Dedes për turneun zyrtar kualifikues të “Euro 2020” që do të zhvillohet në Belgjikë në datat 13-19 nëntor.

STËRVITJA – Ky fakt e ka qetësuar ndjeshëm stafin teknik, pasi nuk do të jenë të kushtëzuar në ndërtimin e formacionit. Transferta është realisht delikate dhe kthesa mbetet detyrim pas atij barazimi me bardheblutë. Edhe pse kundërshtari renditet në vendin e parafundit të tabelës, vend për nënvlerësim nuk ka. Madje ka qenë vetë trajneri që e ka pranuar që “të voglat” i ka frikë.

Për këtë motiv kanë nisur përgatitjet intensive për javën e 12-të, me një seancë në orën 15:00, në kompleksin sportiv “Olympic Park”. Puna filloi si zakonisht me nxemje dhe me një vrapim të lehtë, e më pas u ndalën tek ushtrimet fizike dhe loja me top. Vlen të theksohet se atmosfera brenda grupit të futbollistëve është mjaft pozitive, gjithashtu tek ata nuk mungon optimizmi dhe dëshira për t’u rikthyer te rezultatet pozitive.

STATISTIKAT – Stadiumi “Luftëtari” është kthyer zyrtarisht në një makth për durrsakët. Janë bërë afro 2 vite që nuk fitojnë në këtë transfertë. E fundit fitore përkon me 15 nëntorin e 2017-ës, kur ia dilnin në shifrat 2-3 me gola të Latif, Lenës dhe Dediç.

Gjatë sezonit të kaluar, në fakt, e kanë një fitore 1-0, por ajo është zhvilluar në Durrës. Pra, tersi nuk është thyer ende. Festa zgjati pak, pasi ndeshjen tjetër që e luajtën në Gjirokastër u rikthye refreni. U mposhtën 1-0. Tashmë ka ardhur momenti që të marrin pikë të plota në këtë fushë. Dhe shanset janë, sidomos kur dihet që Teuta ketë sezon është më lart se kundërshtari, jo vetëm në renditje, por dhe në organikë. Edhe pse kundërshtarët nuk po kalojnë një moment të mirë, Bledi Shkëmbi ka kërkuar prej të tijve mobilizim maksimal.

Zamir Qypi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"